Mendoni se vala e nxehtësisë në Evropë dhe SHBA është e keqe? Provoni të jetoni në Lindjen e Mesme

Mendoni se vala e nxehtësisë në Evropë dhe SHBA është e keqe? Provoni të jetoni në Lindjen e Mesme

Ndërsa evropianët dhe amerikanët po vuajnë nga vala e të nxehtit, ekspertët tregojnë për temperatura edhe më të larta në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Në qytetin e dritave Parisin, termometri regjistroi temperaturat më të larta të të gjitha kohërave prej 42.6 °C.

Shumë në Lindjen e Mesme do të ishin të kënaqur që të kenë një mot të tillë relativisht të butë.

Temperaturat prej 42 deri në 45 °C është mesatarja në Lindjen e Mesme në muajin korrik. Por edhe ai rajon është goditur nga një valë e nxehtë, me temperatura që kalojnë 50 °C. Mitrabah, është një tokë e shterur në rajonin e Kuvajtit Verior, ku me 21 korrik termometri ka regjistruar temperaturat më të larta prej 54 °C.  Edhe Basra në Irak është goditur nga vala e të nxehtit duke arritur deri në 53.9 °C më 11 korrik, tha Claire Nullis, zyrtare për shtyp e Organizatës Botërore të Meteorologjisë (WMO).

Temperaturat ekstreme karakterizohen si vala e të nxehtit kur ato tejkalojnë mesataren sezonale me një diferencë të madhe për më shumë se tre ditë, shpjegoi Omar Baddour, Shefi i Menaxhimit të të Dhënave në WMO.

Temperatura më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë ishte në Furnace Creek, Death Valley, Kaliforni prej 56.7 °C me 10 korrik të vitit 1913. "Po i afrohemi rekordit global", tha Baddour.

India gjithashtu regjistroi temperatura rekord këtë vit, prej 51 °C. "Siç mund ta shikoni, temperaturat që tejkalojnë regjistrimet nuk janë më të pazakonta, por ato po bëhen më të shpeshta", theksoi Baddour.

Rritja ekstreme e temperaturave ka dëmtuar "pjesë të mëdha të botës", u shpreh Nullis.

Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta në 50 vitet e fundit, tha Nullis, dhe shkenca e re u mundëson hulumtuesve të hetojnë shkaqet e tyre. Hulumtimet tregojnë se gjatë 10 viteve të fundit, valët e nxehtësisë kanë pasur 10 herë më shumë gjasa si rezultat i ndryshimeve klimatike, tha ajo.

Gjashtë muajt e parë të këtij viti ishin periudha më e nxehtë gjashtë mujore duke shënuar rekord, dhe viti është gjithashtu në rrugën e duhur për të thyer rekordin, tha Nullis. /Motilokal.com/