Kontinenti evropian aktualisht është i prekur nga kushte të ndryshme të motit. Ndërsa në disa rajone, si në Skandinavi, moti korrespondon me kalendarin dhe stinën, në perëndim të kontinentit, nga ana tjetër, regjistrohen përmbytje dhe reshje të dendura shiu.
Evropa përjetoi mot të kundërt të mërkurën, me të ftohtë ekstrem dhe stuhi bore që sollën bllokimin e trafikut dhe mbylljen e shumë shkollave.
Ndërkohë, erërat e forta dhe reshjet e dendura të shiut në Evropën Perëndimore shkaktuan përmbytje dhe morën një jetë njerëzore. Të mërkurën, temperaturat ranë nën minus 40 gradë Celsius për të dytën ditë radhazi në rajonin nordik.
Në Laplandën suedeze, merkuri ra në minus 43.6 gradë Celsius, që është temperatura më e ulët e janarit e regjistruar në Suedi në 25 vitet e fundit, siç raporton agjencia suedeze e lajmeve TT.
Këto ishin gjithashtu disa nga temperaturat më të ftohta globale deri më tani këtë dimër.
Të ftohtin ekstrem, siç e quajnë meteorologët, e ndjenë edhe banorët e Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë.
Temperaturat jashtëzakonisht të ftohta, bora dhe erërat e forta kanë ndërprerë transportin në të gjithë rajonin nordik, me disa ura të mbyllura dhe disa shërbime hekurudhore dhe tragetesh të pezulluara.
Një valë e ftohtë nga Siberia dhe rajoni i Arktikut preku gjithashtu Rusinë perëndimore dhe temperaturat në Moskë dhe zona të tjera ranë në minus 30 gradë Celsius, shumë nën temperaturën mesatare për fillimin e janarit.
Stuhi në Angli
Më shumë se 300 paralajmërime për përmbytje u bënë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar të mërkurën, me 10,000 shtëpi pa energji elektrike.
Rrjeti hekurudhor në Britaninë e Madhe është prekur nga përmbytjet dhe ndërprerjet e energjisë elektrike. Gjithashtu, stuhitë më të forta në Britaninë e Madhe u regjistruan në Isle of Wight, jo shumë larg bregut në jug të Anglisë, ku shpejtësia e erës arriti në 151 kilometra në orë.
Në Francë, shirat e dendur kanë goditur rajonet veriore të Pas-de-Calais dhe Nord që nga e diela, duke detyruar evakuimin e rreth 200 personave dhe duke lënë rreth 10,000 familje pa energji, sipas autoriteteve lokale.
Shërbimi kombëtar i motit mbajti paralajmërime për përmbytje dhe erëra për disa rajone në të gjithë Francën veriore dhe kufijtë e saj me Belgjikën, Luksemburgun dhe Gjermaninë të enjten, duke parashikuar më shumë shi dhe erëra deri në 100 kilometra në orë.
Disa pjesë të Gjermanisë u përballën gjithashtu me përmbytjet, të cilat mund të përkeqësohen nga shirat që bien në shtetin veriperëndimor të Saksonisë së Poshtme të goditur më keq.
Ndryshe, vala e ftohtë nga Siberia do të mbërrijë edhe në Ballkan si Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, duke sjellë me vete temperaturat e ulëta dhe minuset e para të vitit që nga e hëna e 7 janarit.
/Motilokal.com
