Një aeroplan i “Alaska Airlines” ka bërë një ulje emergjente mbrëmjen e djeshme në Portland në shtetin amerikan të Oregon, pasi xhamat e aeroplanit i kanë rënë gjatë fluturimit. U vendos që të gjithë avionët “Boeing 737 Max 9” në këtë linjë ajrore të ndalohen përkohësisht.
Zyrtarët kanë deklaruar se ka pasur një problem me presionin në aeroplan, ndërsa njëri nga pasagjerët ka thënë se dritarja e aeroplanit ka rënë gjatë fluturimit, raporton CNN.
Në aeroplan ishin 171 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit. Pasi u ngrit nga Aeroporti Ndërkombëtar i Portlandit, ai ishte në ajër për rreth 20 minuta dhe më pas u kthye në pistë.
Një nga pasagjerët në atë fluturim i tha CNN se dritarja ra nga aeroplani pas ngritjes.
Autoritetet amerikane të aviacionit bënë të ditur se bëhet fjalë për një avion “Boeing 737 Max 9”, i cili është licencuar për fluturime më 25 tetor të vitit të kaluar dhe se për këtë incident kanë nisur hetimet.
Linja ajrore njoftoi se do të ndalojë "përkohësisht" të gjithë 65 aeroplanët e saj "Boeing 737 Max 9" për të kryer kontrolle dhe inspektime shtesë.
Boeing tha se ishte në dijeni të incidentit dhe se "po punonte për të mbledhur më shumë informacion".
Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) konfirmoi se po heton incidentin.
"Boeing 737 Max 9" është përshkruar si avioni transportues më i provuar në histori pas një sërë pyetjesh dhe hetimesh sigurie.
/Motilokal.com
