Reshje shiu e bore në Shqipëri, ARRSH tregon gjendjen e rrugëve dhe bën apel për shoferët

Reshje shiu e bore në Shqipëri, ARRSH tregon gjendjen e rrugëve dhe bën apel për shoferët

Siç kemi parashikuar dhe paralajmëruar reshje shiu dhe bore kanë përfshirë Shqipërinë nga mbrëmja e së premtes.

Autoriteti Rrugor Shqiptar  (ARRSH) ka njoftuar se reshje shiu me intensitet mesatar kanë përshkuar Shqipërinë duke sjellë rënie gurësh e materialesh si në Skuraj-Burrel, të cilat janë pastruar menjëherë nga grupet e punës duke mos lejuar të krijohet vështirësi në qarkullim.

“Në zonën veriore ka pasur reshje dëbore me intensitet dhe erë si në Ura e Zapodit-Shishtavec në Tamarë-Vermosh, në Qafë Thore-Bogë, Klos, Peshkopi, Bajram Curri-Fierzë, në Tropojë”, thuhet në njoftim.

Në mëngjes edhe në Qafë Thanë kanë filluar reshjet e dëborës me intensitet mesatar.

Sipas ARRSH-së mjetet borëpastruse dhe punëtorët e mirëmbajtjes kanë qenë në terren pa ndërprerje.

ARRSH thotë se rrugët janë të pastruara nga dëbora dhe qarkullimi vijon pa probleme.

“Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, apelon ARRSH.

/Motilokal.com