Në fotografi: Qyteti i Liqenit në një atmosferë të bukur dimri

Në fotografi: Qyteti i Liqenit në një atmosferë të bukur dimri

I veshur me petkun e bardhë të borës me një peizazh mahnitës, buzë liqenit, pranë kodrave, të rrethuara me male, gjendet qyteti i Pogradecit. Me kulturën, traditën dhe bukuritë natyrore mirëpret vizitorë në çdo stinë të vitit.

Pogradeci ofron shumë mundësi për turizëm ujor, malor dhe historik. Gjithashtu edhe kuzhina dhe kulinaria pogradecare është shumë e veçantë dhe e pëlqyeshme nga vizitorët shqiptarë dhe të huaj.

Shtëpitë janë të ndërtuara prej guri dhe tulla në anët e rrugicave të ngushta mbuluar me pjergulla. Në jug të Linit, afër Buqezës në liqen, në thellësinë 2-3 metra ndodhen disa palafite. Ai është një vendbanim i tipit liqenor ndërtuar në sipërfaqe të liqenit, si ajo e Maliqit në rrethin e Korçës. Ka gojëdhëna që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të lulëzuar.

Katër kilometra larg Pogradecit, shtrihet Driloni, një vend me bukuri dhe qetësi të rrallë. Ky vend me një peizazh madhështor e bën të frekuentueshëm dimër dhe verë nga vizitorë të shumtë. 

Por ka akoma…Shën Naumi është fare pranë…Përtej kufirit, por lehtësisht i arritshëm me veturë.

Në Pogradec mbizotëron një klimë mesdhetare malore dhe pjesërisht kontinentale, me dimër të ftohtë dhe verë të nxehtë e të thatë. Temperatura mesatare vjetore arrin deri në 12.3 °C. Muaji më i ftohtë është janari dhe muaji më i nxehtë është gushti. Muaji më i lagësht është nëntori me reshje shiu mesatarisht 108 milimetra ndërsa sasia mesatare vjetore e reshjeve arrin në 730 milimetra.

Bashkia e Pogradecit ka publikuar disa fotografo që ju ofron të shijoni magjinë e qytetit, që pret mijëra vizitorë në të gjitha stinët.

Ju sjellim disa pamje të bukura, të shkrepura nga gazetari i mirënjohur Artin Halili.


/Motilokal.com