Kishte mbetur i bllokuar në bjeshkët e Valbonës, shpëtohet turisti nga Kosova

Kishte mbetur i bllokuar në bjeshkët e Valbonës, shpëtohet turisti nga Kosova

Policia e Shqipërisë në bashkëpunim me Emergjencat Civile të Kosovës u kanë dal në ndihmë tre turistëve nga Kosova që kishin mbetur të bllokuar të dielën nga bora e madhe në Valbonë.

Sipas njoftimit të Policisë së Shqipërisë rreth orës 11:00, Emergjencat Civile të Kosovës kanë njoftuar se 3 turistë nga Kosova, duke eksploruar Alpet e Valbonës, me motorë bore, kishin mbetur të bllokuar, për shkak të terrenit të thepisur dhe me dëborë.

Bëhet e ditur se pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim me Emergjencat Civile të Kosovës, kanë organizuar punën dhe kanë nisur kërkimet, me qëllim lokalizimin e turistëve.

“Pas disa orësh kërkime nga shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Emergjencat Civile të Kosovës, në vendin e quajtur "Ura Pojanes", u lokalizua turisti që kishte mbetur i bllokuar, ndërsa 2 turistët e tjerë kishin arritur të dilnin në zonën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

 “Turisti ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Ai ka falënderuar shërbimet e Policisë dhe Emergjencat Civile të Kosovës, për ofrimin e menjëhershëm të ndihmës. Drejtoria Vendore e Policisë Kukës fton qytetarët që për çdo rast të nevojës për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112”, thuhet në njoftimin e Policisë.

/Motilokal.com