‘Çmendet moti’, bregdeti shqiptarë goditet nga stuhi dhe dallgë të mëdha

‘Çmendet moti’, bregdeti shqiptarë goditet nga stuhi dhe dallgë të mëdha

Pas një vale të nxehtit janë rikthyer stuhitë me shi në vendin tonë. Erëra të forta dhe shi i rrëmbyeshëm ka bërë që vendet bregdetare në veri të Shqipërisë të vërshohen nga uji.

Kjo është hera dytë që vendi ynë po ballafaqohet nga moti i keq.

Javë më parë erëra të forta dhe reshje të mëdha të shiut goditen pjesë të ndryshme të veriut të Shqipërisë dhe Malit të Zi, ku më të prekurat ishin Ulqini, Velipoja dhe Shëngjini.

Nga dallgët e mëdha janë shpëtuar 14 pushues nga mbytja nga Policia Kufitare dhe FNSH.

5 shtetas nga Shkodra dhe Kosova janë shpëtuar në grykëderdhjen e Vilunit në lagunën e Rrjollit.

Ndërkohë, po në të njëjtin vend iu dha ndihma edhe 9 shtetasve çekë që kishin mbetur të izoluar.

“Falë ndërhyrjes së shpejtë nga Policia Kufitare dhe FNSH, u është dhënë ndihma e parë 5 shtetasve nga Shkodra dhe Kosova në grykëderdhjen e Vilunit në lagunën e Rrjollit, të cilët rrezikuan mbytjen. Pesë shtetasit u transportuan për në qendrën spitalore, ku gjendja shendetësore e tyre është jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në  çdo sezon veror një nga problemet më të diskutuar është mungesa e rojeve të plazhit. Duket se këtë vit Policia Kufitare dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë po i zëvendësojnë ata duke u ardhur në ndihmë pushuesve dhe turistëve./Motilokal.com/