Këmbimi i pronave në Prishtinë: Pezullohet ekzekutimi i vendimit, lënda kthehet në rivendosje

Këmbimi i pronave në Prishtinë: Pezullohet ekzekutimi i vendimit, lënda kthehet në rivendosje

Është pezulluar nga Ministria e Financave ekzekutimi i vendimit të Komunës së Prishtinës për këmbim të pronës komunale me pronën private të ish-klientit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Në vendim po ashtu bëhet e ditur se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka tërhequr ligjshmërinë e lëshuar dhe lënda është kthyer për rivendosje në Kuvendin Komunal.

Në një vendim që ka marrë Ministria e Financave të enjten “pezullohet ekzekutimi i vendimit 01-020/04-236518/23 të dt. 26.12.2023 të Kuvendit Komunal të Kryeqytetit lidhur me procedurën e vlerësimit të pronave të paluajtshme të cilat janë objekt i këmbimit përmes këtij vendimi të Kuvendit Komunal të Kryeqytetit”.

Procedura e vlerësimit, sipas MF-së, do të nisë kur të mënjanohen pengesat ligjore të evidentuara nga MAPL-ja.

Pas raportimit të KOHËS, Prokuroria e Shtetit ka nisur hetim parapenal. E për këtë këmbim prone, Komuna e Prishtinës do të përballet edhe me padinë e ushtruar të enjten nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Në padinë për inicimin e konfliktit administrativ thuhet se në vendimin që e ka marrë Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk janë aplikuar fare dispozitat ligjore, nuk është vepruar sipas rregullave të procedurës, nuk është vërtetuar drejt gjendja faktike apo nëse nga faktet e vërtetuara është nxjerrë konkluzioni jo i drejtë në pikëpamje të gjendjes faktike.

Në anën tjetër, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka insistuar se nuk ka shkelje ligjore në procesin e këmbimit të pronave komunale me ato të ish-klientëve të tij. Në një konferencë për media, zbulimin e skandalit nga KOHA ai e quajti sulm ndaj tij dhe punës së Komunës.

Prona komunale që është këmbyer me atë në Badovc të ish-klientit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, nga një proces i nisur më 2021 nga ish-kryetari Shpend Ahmeti dhe një proces i ri i vitit 2024, kap vlerën e dhjetëra miliona eurove. Bazuar në çmimet në treg, një pronë rreth 7-hektarëshe në zonën Prishtina e Re më së liri kushton 23 milionë euro, ndërsa më së shtrenjti rreth 33 milionë euro. E për sipërfaqen që është këmbyer në Badovc, çmimet sillen prej 2 milionë e 400 mijë deri në 5 milionë e 300 mijë euro.

/koha.net