Nga Shkëlzen Rrecaj
Krismat e pushkëve të gjahut po dëgjohen gjithnjë e më shpesh në malet e Kosovës. Pjesë të ndryshme të kafshëve e shpendëve nëpër restorantet, shtëpitë e odat gjithandej Kosovës mbesin shenjat e dhimbshme të atyre krismave.
Kaprolli, lepuri dhe derri i egër mbeten cak i gjahtarëve ilegalë, të cilët po i dërgojnë këto kafshë dhe shumë të tjera drejt zhdukjes.
Në Ligjin NR_02L-53- kafshët e egra përfshijnë kafshët dhe shpendët e egra që formojnë popullatën në gjendje të lirë në natyrë, ndërsa sa i përket zonave thuhet se ato jetojnë në zonat mbi 1000 m lartësi mbidetare.
Neni 45 thotë se agjencia duhet të sigurojë shumëllojshmëri biologjike, ndërsa neni 11 kërkon ‘provim të gjuetarëve’.
Ligji për gjuetinë e përkufizon atë si ndjekja, përndjekja, plagosja, vrasja e kafshëve të egra, gjahu i tyre mund të kryhet brenda sezonit të cilën e cakton Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me anë të konkursit. Caktohen dënime prej 1000 deri në 10000 euro nëse nuk respektohen këto rregulla, si vrasja e kafshëve të egra natën, vrasja e tyre me helm, nëse dalin e gjuajnë kur sezoni është e mbyllur, e shkelje të tjera.
Kafshët e egra po vriten, përndiqen, plagosen, edhe pse janë të mbrojtura me ligj.

Foto: Avdyl Gashi
Rasti i fundit është regjistruar në Malësinë e Marecit, ku Avdyl Gashi ka hasur në një kaproll të vrarë, kokën e të cilit e kishin varur në një lis.
Avdyli pamjet e tmerrshme i ka ndarë me fotografinë e mirënjohur dhe promotorin e botës së egër Arian Mavriqin, i cili në Facebook ka shkruar:
“Malësinë e Marecit, Avdyli na tregon se çka gjeti duke shëtitur nëpër bjeshkë. Ai kërkoj ta publikoj këtë pamje tmerri dhe të tregojmë asgjë më shumë se me fakte se si vriten dhe kafshët (Kaprolli) e që janë të ndaluar me ligj. Sa i përket numrit të tyre në Gollak, atëherë mund të themi lirisht se në krejt Kosovën kjo pjesë ka më së paku, sipas eksperiencës personale dhe lëvizjes së tyre pranë kamerave kurth. Natyrisht se ky rast do hetim dhe rastet tjera në të ardhmen. Organet përgjegjëse duhet të ndërmarrin diçka urgjent, ndryshe numri i këtyre kafshëve kurrë nuk do të rritet. Ky gjest i gërditshëm i jep namin e keq edhe gjahtarëve të tjerë, e që ndoshta nuk kanë asnjë faj. Të gjithë shoqatat e gjahtarëve duhet të marrin përgjegjësi dhe të kenë një kontroll të shtuar atyre që ju japin leje për armë gjuetie dhe të bëhet një kontroll i shtuar nëpër vend-gjueti. Të mos harrojmë, në këtë kohë, shumë kaproj (femra) dhe janë barrsë, pra, para se të vritni, të kuptoni se nuk do vritni vetëm një, por, ndoshta dy e më shumë. Në fund, këto kafshë nuk janë pronë e askujt, por të gjithë kemi të drejtë për to, prandaj dhe nëse keni menduar se keni të drejtën të bëni çfarë të doni me to, e keni shumë gabim. Po ju bashkëngjisë edhe bisedën që sapo pata me Kryetarin e Federatës së Gjahtarëve të Kosovës, Nuredin Ibishin. Për shkak të përmbajtjeve të vrazhda, cenzuruese dhe mundësive që profili im zyrtar të ndalohet, largova fotografitë e kaprollit, ato i lash vetëm në profilin privat. Nëse dëshironi ta njihni një Popull vetëm shikojeni se si i trajton kafshët, aty e merr përgjigjen.”
Kaprolli (Capreolus capreolus) është një specie në rënie. Trendi i nënpopullatave është i qëndrueshëm në nivel global, por në Kosovë është lloj në rënie dhe i kërcënuar për zhdukje. Ky lloj është vlerësuar në kategorinë: I rrezikuar, për shkak të rënies së vazhdueshme të vëzhguar të popullatave të këtij lloji në të kaluarën, ku shkaktarët nuk kanë ndaluar ende, bazuar në vëzhgim direkt, rënie të cilësisë së habitateve të përshtatshme për llojin, si dhe për shkak të nivelit të eksploatimit. Gjithashtu, pritet një reduktim i nënpopullatave në vitet në vijim për shkak të trendëve të vazhdueshme që e kërcënojnë këtë lloj.

Foto: Avdyl Gashi
Faktorët kryesorë, që e kërcënojnë këtë lloj, janë: degradimi dhe shkatërrimi i habitatit, grabitja, gjuajtja dhe përndjekja nga njeriu për qëllime të ndryshme. Gjithashtu, ky lloj kërcënohet nga ujku, derri i egër, rrëqebulli, dhelpra, e sidomos të vegjlit janë pre e lehtë e tyre.
Me anë të vendimit të MMPH 04/03 të datës 23 maj 2003, neni 3 ky lloj është i mbrojtur me ligj, si lloj i rrallë dhe i rrezikuar.
Foto në ballinë: Arian Mavriqi
/Motilokal.com
