Njohësi i emergjencave apelon për kujdes ndaj erërave të forta që kanë përfshirë Kosovën

Njohësi i emergjencave apelon për kujdes ndaj erërave të forta që kanë përfshirë Kosovën

Njohësi i çështjeve të emergjencave Tahir Ahmeti, përmes një shkrimi në faqen e tij në Facebook, ka thënë se pas paralajmërimeve nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës që sot dhe ditët në vijim do të ketë erëra mesatare deri të forta, në disa rajone të Kosovës.

Ai ka thënë se qytetarët duhet të informohen me kohë në lidhje me rreziqet dhe dëmet, prandaj edhe duhet pasur kujdes të shtuar.

“Qytetarët duhet të kenë informacione për rrezikun nga këto erëra dhe dëmet që mundë të shkaktojnë ato, duke filluar nga dëmtimi i shtëpive dhe pullazeve, zhvendosja apo hedhja e objekteve të ndryshme, kontejnerëve, shkulja e drunjëve, dëmtimi dhe shkatërrimi i kulturave bujqësore”, ka shkruar AHmeti.

Ahmeti ka theksuar se vëmendje të veçantë duhet t’i kushtohet degëve, kabllove dhe shtyllave elektrike, pllakave të çative ose objekteve të tjera, që mund të bien nga lart dhe që mundë të rrezikojnë edhe vetë jetën e njerëzve.

Më tej Ahmeti apelon tek drejtoritë komunale për emergjenca si dhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, që duhet të jenë në gjendje gatishmërie, për t’u ndihmuar qytetarëve në rast nevoje./Motilokal.com