Zbulohet kartoni i ri në futboll, ja çfarë dënimi pritet?!

Zbulohet kartoni i ri në futboll, ja çfarë dënimi pritet?!

Një karton i ri do të përdoret për herë të parë në futboll që nga viti 1970, kur i verdhi dhe i kuqi u bënë pjesë e kësaj loje në Kupën e Botës. Ai që të gjithë e kanë quajtur më parë kartoni portokalli, në fakt do të jetë i kaltër dhe IFAB, organizata që rishikon rregulloren e lojës, ka menduar se është koha për ndërthurjen në futbollin e sotëm.

Bëhet fjalë për kartonin i cili i jep mundësinë gjyqtarit që të largojë nga loja një lojtar për 10 minuta, për t’u rikthyer më pas në fushë në mbarimin e kësaj periudhe në pankinë.

Sipas mediave ndërkombëtare, kartoni i kaltër do të përdoret vetëm për faullet taktike që ndalin aksione premtuese për gol, por edhe për kundërshtinë ndaj gjyqtarëve të ndeshjes.

Dy kartonë të kaltër, apo kombinimi i një të tilli me një të verdhë, do të sjellë kartonin e kuq dhe largimin përfundimtar nga ndeshja të futbollistëve të cilët tani e tutje duhet të jenë të kujdesshëm edhe ndaj veprimeve që më parë nuk prodhonin kartonë.

Eksperimentimi do të nisë gjatë kësaj vere me aktivitete të ndryshme, teksa pritet që Kupa FA të jetë një prej tyre në raundet e para të aktivitetit, pa hyrë në garë skuadrat e mëdha angleze.

/Motilokal.com