Nga Shkëlzen Rrecaj
Jetojmë në një kohë kur kujdesi për mjedisin dhe lufta kundër ndryshimeve klimatike janë në qendër të vëmendjes globale. Në përpjekje për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe për të ndikuar në reduktimin e ndotjes së qyteteve, debati për veturat elektrike është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm.
Megjithatë, në Kosovë, realiteti i veturave elektrike përballet me sfida të mëdha ligjore dhe tatimore. Në mungesë të një ligji specifik për trajtimin e tyre, veturat elektrike trajtohen me një regjim të përgjithshëm të njëjtë si veturat me djegie të brendshme. Kjo nënkupton që ata paguajnë doganë, TVSH dhe taksat e regjistrimit në nivelin e një veture me benzinë apo naftë.
Ndërsa vendet e tjera po marrin masa për ta stimuluar përdorimin e veturave elektrike, në Kosovë ende nuk ka një qasje të tillë progresive. Kjo bën që kostoja e veturave elektrike të jetë shumë më e lartë për blerësit potencialë, duke e kufizuar përhapjen dhe përdorimin e tyre në vendin tonë.
Adriatik Stavileci zëdhënës i Doganës së Kosovës, në një prononcim për Motilokal.com tha se gjatë vitit 2023 janë importuar 241 vetura elektrike, në vlerë totale rreth 8.6 milion euro. Ai potencoi se për importin e një automjeti me rrymë, qytetarët paguajnë 10 për qind taksë doganore dhe 18 për qind të TVSH-së.

Përkitazi me regjistrimin e veturave elektrike, Motilokal ka pyetur edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Nga zyra për informimi kemi marrë këtë përgjigje: “Ju informojmë se bazuar në Vendimin për caktimin e tarifave nr. 012/2020 të datës 10.01.2020, për regjistrimin e mjetit të ri për mjetet nën 3.5 ton regjistrimi është 105€, 25€ taksë administrativ, 40€ taksë rrugore, 10€ taksë ekologjike, 20€ targat dhe 10€ libreza e mjetit. Ndërsa për mjetet 3.5 ton dhe mbi 5.5.ton 200€, 50€ taksë administrativ, 90€ taksë rrugore, 30€ taksë ekologjike, 20€ targat dhe 10€ libreza e mjetit.”
Nga kjo i bie që regjistrimi i një veture elektrike është i njëjtë si ato me naftë apo benzinë.
A kanë patur mbështetje kompanitë e taksive apo ndonjë qytetar në blerjen e veturave elektrike?
Në një prononcim për Motilokal.com, shefi i Electric Mobility LLC, Fidan Hallaqi u shpreh: “Në blerjen e veturave elektrike nuk kemi patur mbështetje nga institucionet vendore, as në përkrahje financiare apo lehtësim procedural. Të vetmen mbështetje që e kemi arritur ta sigurojmë ka qenë përmes fondeve të BERZH dhe të BE-së që kanë subvencionuar 15% të vlerës neto, përkrahje kjo që është për projekte të qëndrueshme, pra jo specifike për veturat elektrike.
Ai thotë se për blerjen e veturave elektrike, për shkak të rregullit të origjinës që është në kuadër të MSA-së me BE-në, ato nuk kualifikohen për lirim nga taksat doganore, për arsye se një pjesë e konsiderueshme e veturës ka origjinë jashtë BE-së, kryesisht bateritë dhe elektromotori. Prandaj, jemi detyruar që të paguajmë 10% taksë doganore shtesë, krahasuar me një veturë me djegie të brendshme (benzinë ose naftë).

Për ilustrim, veturat elektrike kushtojnë mesatarisht deri në 10,000€ më shtrenjtë krahasuar me modelin ekuivalent benzinë apo naftë. Detyrimi për të paguar taksë doganore dhe TVSH shtesë e bën atë jo të leverdishme si për biznese, apo për përdorues privat. Me distancat që përçojmë në Kosovë, në asnjë mënyrë nuk mund të ekonomizohet blerja e një veture elektrike me vetëm kursimet në karburant”, theksoi Hallaqi.
Për dallim nga Kosova, në Shqipëri veturat elektrike janë të liruara nga dogana dhe TVSH, madje regjistrimi i parë nuk kushton më shumë se 2€.
“Veturat që i zotëron flota E TAXI, kushtojnë afërsisht 52,000€ në Kosovë, derisa e njëjta kushton 40,000€ në Shqipëri për shkak të lirimit nga taksat doganore dhe TVSH për çdo veturë elektrike. Këtë dallim e bën më të madh edhe regjistrimi dhe sigurimi i veturës elektrike. Derisa në Shqipëri regjistrimi i parë nuk kushton më shumë se 2 euro, në Kosovë paguhet regjistrim i plotë për vetura elektrike sikur çdo veturë tjetër, përfshirë taksën ekologjike. Shtesë saj, sipas një rregulloreje të brendshme të BKS, sigurimi i veturave elektrike është shumëfish më i shtrenjtë, për arsye të një formule të nxjerrë nga BKS që tenton të nxjerrë ekuivalencë në mes të fuqisë së motorit dhe vëllimit të tij”, u shpreh Hallaqi.
Ai tha se çdo veturë elektrike për shkak të efikasitetit të elektromotorit ka fuqi më të lartë, kjo me formulën e BKS rezulton që çdo veturë elektrike t’i përcaktohet vëllimi mbi 3000cc, gjë që rezulton në ngritje të konsiderueshme të shumës. Në rastin tonë, kur i shtohet primi për rrezik në operim taksi të veturave elektrike, kjo rezulton në kosto mbi 400€ për veturë, gjë që automatikisht e ngre vlerën e sigurimit TPL+ për mbulim të shteteve të rajonit.
Hallaqi na njoftoi se ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe e Financave që të ndërmerren masa në këtë drejtim dhe madje thotë se kanë propozuar alternativa, duke marrë për bazë modele nga rajoni dhe Bashkimi Evropian.
“Ne kemi bërë propozim në Ministrinë e Infrastrukturës dhe atë dhe të Financave rreth masave që duhet të ndërmerren dhe kemi prezantuar disa alternativa, duke marrë për bazë modele nga rajoni dhe BE-ja, ku parashihen subvencionime përmes lirimit nga taksat jo vetëm të veturave elektrike por edhe infrastrukturës për mbushje si dhe mjetet alternative të transportit, mikromobilitetit. Mirëpo, deri më sot nuk ka patur asnjë lëvizje”, deklaroi për Motilokal Hallaqi.
“Lirimi i taksave doganore mund të bëhet me një vendim, derisa lirimi nga TVSH do të duhej të jetë subjekt i rishikimit të politikës fiskale në vend. Megjithatë, nevoja për një gjë të tillë është urgjente, meqenëse BE-ja veçse ka ndërmarrë veprime në këtë drejtim dhe se parashihet ndalimi i prodhimit të veturave me djegie të brendshme nga viti 2030 e tutje. Kjo rrezikon përkeqësimin e situatës me vetura të vjetra në Kosovë dhe rajon, ku të gjitha veturat që dalin nga përdorimi në BE do të futen në tregun tonë me çmime më të favorshme. Kjo do ta vononte tranzicionin e veturave elektrike në Kosovë për të paktën 10 vitet e ardhshme, gjë që do ta bëjë të vështirë çfarëdo veprimi me vonë”, theksoi Hallaqi.
Tutje ai tha se do të duhej të veprohet me shpejtë me qëllim të parandalimit të përkeqësimit të situatës në sektorin e transportit dhe promovimit të veturave elektrike në mënyrë që të jetë alternativa e parë për ata që planifikojnë blerjen e një veture të re dhe të kemi ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Në një kohë kur planeti po shfaq shenja të qarta të ndryshimeve klimatike, është koha që edhe Kosova të bëjë hapat e duhur drejt një transporti më të qëndrueshëm dhe të pastër.
/Motilokal.com
