Miratohet ligji për zonat e mbrojtura, Kumbaro: Do ketë ndërtime ekologjike dhe miqësore me mjedisin

Miratohet ligji për zonat e mbrojtura, Kumbaro: Do ketë ndërtime ekologjike dhe miqësore me mjedisin

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro foli jashtë Kuvendit për miratimin sot në Parlament të ligjit për Zonat e Mbrojtura, një ligj i kundërshtuar nga opozita.

Në një prononcim për mediat Kumbaro tha se ligji për Zonat e Mbrojtura nuk dëmton mjedisin dhe se nuk shkel direktivat e parashikuara nga BE-ja. Ministrja theksoi se amendamente e ligjit u miratuan sot pas një konsultimi të gjerë publik me qytetarë të shoqërisë civile dhe organizata mjedisore.

Gjatë fjalë së saj Kumbaro tha se nuk do të preket sipërfaqja e territoreve të zonave të mbrojtura dhe se nuk do të ketë ndarje të territoreve të zonave të mbrojtura me bashkitë. Sipas ministres amendamentet që u miratuan sot hapin rrugë për rregulla më të qarta në zonat e mbrojtura.

“Duam të ruajmë lidhjen e njeriut me territorin, për të krijuar ekonominë e tyre në çdo pjesë të terrorit ku janë. Të nxisim rritjen ekonomike në të gjithë territorin e vendit. Ka në të gjithë vendet parqe “Eco-Friendly”, pra investime miqësore për mjedisin. Shikoni veriun e Italisë dhe aty i keni të gjitha përgjigjet”, tha Kumbaro.

Ministrja theksoi se për hartimin e amendamenteve ligjore janë realizuar konsultime me shoqërinë civile dhe organizatat mjedisore.

“Ndërkohë në informacionin e të gjithëve, në transmetime direkte, ka patur shumë konsultime publike, janë dërguar e-maile, letra, kam patur takime formale dhe informale me përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave mjedisore, por dhe me ekspertë të fushës”, tha Kumbaro.

“Ne u kemi njohur një meritë shumë të madhe në pjekjen dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare në ndryshimin e sjelljes ndaj natyrës, biodiversitetit. Dua të kujtoj këtu shembullin më brilant do të thoja, që është pjekuria për lumin e fundit të egër në Evropë, që është lumi Vjosa, që falë bashkëpunimit disavjeçar të qeverisë, komunitetit, shoqërisë civile dhe pjekjes së ndërgjegjësimit të shoqërisë, përfshi këtu dhe klasën politike, për rëndësinë që kanë zonat e mbrojtura, u shpall në 480 km vijë lumore, lumi me të tre degët e tij, Bënça, Shushica dhe Drino, park kombëtar, duke bërë kështu parkun kombëtar të parë në Evropë të një lumi të egër, pasi është i vetmi që ka mbetur i egër në Evropë”, tha ajo.

“Ndërkohë, sjell këtu një tjetër shenjë shumë të rëndësishme të vullnetit të kësaj mazhorancë, si të qeverisë ashtu edhe të parlamentit, që votojë jo më larg se muajin dhjetor një tjetër ligj që e anëtarëson Shqipërinë si shtet në bashkimin ndërkombëtarë të konservimit të natyrës për të ndjekur standardet e tyre. E gjitha kjo punë ka ecur në paralel”, tha Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit tha se amendamentet ligjore nuk prekin vijat e kuqe, që dëmtojnë zonat e mbrojtura.

“Qeveria është marrë shumë gjatë me atë draft ligj. Unë vetë e kam shprehur edhe informalisht edhe në takimet me shoqërinë civile, por edhe zyrtarisht si qeveri, që janë disa të themi linja të kuqe të cilat nuk duhet të preken, sepse prekin thelbin e vetë ligjit të zonave të mbrojtura. Kam këtu parasysh të mos preken direktivat e BE, të cilat ne i kemi raportuar dhe në procesin screening në qershor, ku praktikisht morëm komplimente për punën e bërë në mbrojtjen e diversitetit. Dua të kujtoj se në vitin 2021 Shqipëria kishte 17.5 % të territorit zonë e mbrojtur. Me vendimet e vitit 2022, e çuam 21.5 % të territorit. Pa llogaritur shtrirjen e Parkut Kombëtar të Vjosës. Po ashtu dhe parkun natyror dhe detar të Porto Palermos, duke rritur sipërfaqen.

Nuk është kaq e lehtë që në një vend të vogël si Shqipëria të kesh 1/5 e territorit zonë të mbrojtur. Kjo do të thotë me rregulla shumë strikte, që s’mund të zhvillohen ato zhvillime që kanë ndodhur në territor, por edhe në zonat të mbrojtura gjatë tranzicionit. Sjell këtu Velipojën, janë zona të mbrojtura edhe përpara 1990, ku sot kemi një pjesë të urbanizuar. Nuk po përmend këtu Ksamilin, që ka qenë zonë e mbrojtur, sot është i tëri i urbanizuar. Këto janë, le të themi, kusuret e një tranzicioni të gjatë”, tha Kumbaro.

Ajo mohoi të ketë dijeni për një notë proteste nga BE.

“Ne me Delegacionin e BE dhe me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë evropianë, kemi qenë dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm për të shpjeguar atë që po ju shpjegoj edhe juve sot. Ne nuk kemi një gjuhë për partnerët ndërkombëtarë, një për publikun dhe një për vete. Është i njëjti komunikim i jetësuar dhe i ndarë me të gjithë”, tha Kumbaro.

Ajo garantoi se “nuk do të preket sipërfaqja e territoreve të zonave të mbrojtura. Dua të falënderoj deputetët që i morën në konsideratë dhe sugjerimet dhe opinionin e qeverisë, që e para, nuk do të ketë ndarje të territoreve të zonave të mbrojtura me bashkitë. Do të vazhdojnë të administrohen nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. S’mund të kemi fshirje të nënzonimeve të një parku kombëtar apo parku natyror, por do ketë rregulla më të qarta. Pasi s’mund të kemi rregulla të njëjta në lagunë, në lumë, në mal etj. Çdo zonë ka karakteristikat e veta. Rregullat duhet të jenë të qarta për të gjithë. Në këto territore jetojnë njerëz prej shekujsh, që sot s’kanë të drejtë as të shtojnë banesën e tyre, as të zhvillojnë një ekonomi, agroturizëm, nëse ndodhet aty”, shtoi Kumbaro.

Ministrja tha se ndryshimet ligjore i japin frymëmarrje ekonomike komunitetit në këto zona.

“Pra, ligji që u miratua sot, hap rrugë për rregulla shumë më të qarta për çdo pjesë të territorit. E treta, vetëm në ato nënzona të parashikuara edhe si pas parimeve të UCNS për aktivitete turistike elitare, ekoturisitike, agroturistike, apo të turizmit të nivelit më të lartë, brenda kritereve shumë strikte të miratuara nga Ministria dhe Këshilli kombëtar i territorit do të jenë të mundura të zhvillohen me 3-4 filtra shumë strikt. Nga Agjencia deri tek qeveria”, tha Kumbaro.

“Vullneti i kësaj qeverie për të gjetur ekuilibrin e duhur midis zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe mbrojtjes së biodiversitetit është në shkallën më të lartë se asnjëherë tjetër. E rëndësishme është që në këtë territorin e vogël të Shqipërisë, 28 000 km katrorë, parimi i UCNS, por dhe UNESCO-s kur flet për njeriun dhe biodiversitetin thotë: Mbrojtja më e mirë është kur kombinohen interesat e komunitetit lokal, sepse s’duam që të na braktisen territoret, siç na janë braktisur.

Në fund ajo tha se me ligjin e ri i jepet përgjigje dy sfidave. “I japim përgjigje dy sfidave: Rritjen ekonomike, por pa cenuar biodiveristetin. Kjo bëhet me rregulla të qarta për të gjithë si për publikun. Të dyja mund të jetojnë paralelisht, pasi këtë nuk e shpikim ne. Mund të shikoni të gjitha vendet qoftë edhe fqinje, por edhe në Evropë, ku kemi parqe natyrore, ku kemi parqe ka edhe hotele eco-friendly, edhe stacione skish, edhe agroturizëm, sepse njerëzit atje ku ne kërkojmë të vijë turizëm natyror, aty duhet formuar dhe shërbimet të cilat duhet të jenë absolutisht miqësore me mjedisin. Shikoni Austrinë, veriun e Italisë dhe do të gjeni të gjitha përgjigjet që kërkoni”, tha Kumbaro.

/Motilokal.com