Reagon Bashkimi Evropian për ligjin e zonave të mbrojtura/ Rama: 100 për qind në një mendje me ju

Reagon Bashkimi Evropian për ligjin e zonave të mbrojtura/ Rama: 100 për qind në një mendje me ju

Delegacioni i BE në Tiranë ka reaguar përmes një postimi pas miratimit në Kuvend të ligjit për ndërtimet në zonat e mbrojtura.

“Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është e qartë. Ajo kërkon përpjekje të vazhdueshme nga qeveria dhe parlamenti për të siguruar që legjislacioni shqiptar të përafrohet me standardet evropiane.

Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent.

Delegacioni i BE-së do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë”, thuhet në reagim.

Ndërsa pas deklaratës së delegacionit të BE-së për miratimin e ligjit për zonat e mbrojtura, ka reaguar në rrjetin social “X” edhe Edi Rama.

Kreu i qeverisë shprehet se është në një “mendje me BE”, teksa shton se ndryshimet e sotme e forcojnë bazën e rrugës së vendit tonë ambicioze “për zhvillim të qëndrueshëm në harmoni me bukurinë mahnitëse të Shqipërisë”.

“100% në një mendje me Bashkimin Evropian. Me vizionin Shqipëria2030 dhe vullnetin e palëkundur për ta bërë këtë vend një destinacion turistik të nivelit më të lartë mesdhetar, ne kemi bërë në 10 vitet e fundit një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit dhe sot jemi të parët në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura. Ndryshimet e sotme e forcojnë bazën e rrugës sonë ambicioze për zhvillim të qëndrueshëm në harmoni me bukurinë mahnitëse të Shqipërisë”, shkruan Rama.

/Motilokal.com