Maserati prezantoi GranCabrio-n e ri

Maserati prezantoi GranCabrio-n e ri

Maserati më në fund prezantoi GranCabio-n e ri, “vëllain” e modelit GranTurismo, i cili debutoi në vitin 2022.

Është një kabrio 2+2, i ofruar fillimisht me motorin e fuqishëm Nettuno V6 në paketën e pajisjeve Trofeo, megjithatë oferta do të zgjerohet me prezantimin e një versioni plotësisht elektrik të Folgora në të ardhmen e afërt.

Disa do të thonë se Maserati GranCabrio duket më tërheqës në krahasim me GranTurismo falë dizajnit të tij të konvertueshëm. Është i pajisur me një çati prej pëlhure të butë, e cila mund të kontrollohet nëpërmjet ekranit të sistemit infoargëtues ose me lëvizje të thjeshta. Çatia paloset për 14 sekonda edhe me shpejtësi deri në 50 km/h.

Pjesa më e madhe e trupit të kabrioletës është e përbashkët me modelin GranTurismo, por pjesa e pasme është ridizajnuar dhe përmban disa detaje unike estetike.

E njëjta gjë vlen edhe për brendësinë në konfigurimin 2+2, kabina dixhitale përbëhet nga një grup instrumentesh 12.2 inç, një ekran opsional head-up dhe një ekran info-argëtimi me prekje 12.3 inç dhe ka një ekran 8,8 inç të ndjeshëm ndaj prekjes të destinuara për kontrollet e ajrit të kondicionuar. Vetura është e pajisur me një sistem zëri Sonus Faber me 13 altoparlantë në formë standarde, por është e mundur të merrni deri në 16 altoparlantë në sistemin opsional të energjisë 1,060 W.

Për ta bërë përvojën e drejtimit të hapur edhe më të këndshme, Maserati GranCabrio vjen standard me ngrohës të qafës për shoferin dhe pasagjerin përpara, të cilat ofrojnë tre nivele intensiteti. Ekziston edhe një xhami opsional që redukton turbulencat në kabinë.

Vetura në foto është e lyer me ngjyrë të kaltër të errët, ndërsa në brendësi dominon e kuqja. Është i pajisur me paketën Trofeo, që do të thotë se ka parakolp më sportiv, shumë karboni dhe një sërë rimash të zeza me shumë fole.

Nën kapuç është motori 3.0-litërsh V6 Netuno me dy turbo të Maserati, i cili zhvillon 550 kf dhe 650 Nm çift rrotullues në konfigurimin më të fuqishëm. Është çiftuar me një transmision automatik me tetë shpejtësi përmes të cilit fuqia transmetohet në rrotat e pasme. Kabrioleta është më e rëndë për 100 kg, gjë që ka ndikuar në performancën, kështu që nga 0 në 100 km/h përshpejton për 3.6 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale është 316 km/h.

Pritet që Maserati të ofrojë GranCabrio me një version më të dobët të motorit V6, i cili do të japë 490 kuaj fuqi dhe 600 Nm çift rrotullues, si dhe zyrtarisht është konfirmuar ardhja e modelit plotësisht elektrik GranCabrio Folgore. Ky model elektrik do të fuqizohet gjithashtu nga tre motorë elektrikë si GranTurismo Folgore me një fuqi të kombinuar 761 kf.

Çmimet për GranCabrio Trofeo-n e ri do të shpallen në periudhën e ardhshme.

/Motilokal.com