Studimi zbulon: Qëndrimi ulur gjatë gjithë ditës pa pushim rrit rrezikun e vdekjes me 30 për qind

Studimi zbulon: Qëndrimi ulur gjatë gjithë ditës pa pushim rrit rrezikun e vdekjes me 30 për qind

Është koha për t'u ngritur! Një studim i ri i publikuar në Gazetën e Shoqatës Amerikane të Zemrës gjeti edhe më shumë prova se qëndrimi ulur për orë të tëra, pa asnjë pushim për t'u ngritur dhe për të lëvizur, lidhet me një rrezik më të lartë të sëmundjeve të zemrës dhe vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet. Kjo njohuri vlen edhe për popullatën që është fizikisht aktive.

Ulje dhe probleme shëndetësore

Një mënyrë jetese ulur, ose kalimi i periudhave të gjata kohore ulur ose shtrirë dhe mungesa e aktivitetit fizik të shpeshtë ose adekuat, shoqërohet me rezultate serioze shëndetësore. Studimi përmend degjenerimin kognitiv të lidhur me moshën, rritjen e rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare, gjendjet metabolike dhe më shumë. Është gjithashtu interesante të dihet se pavarësisht lëvizjeve fizike, një pozicion i vazhdueshëm ulur zvogëlon përfitimet e ushtrimeve.

Studimi i kryer

Autorët e studimit analizuan të dhënat dhe sjelljet e 6,489 grave midis moshës 60 dhe 90 vjeç duke përdorur një algoritëm të ri për ekzaminimin e kohës totale të qëndrimit ulur. Rezultatet treguan se gratë që ishin ulur për 11.7 orë ose më shumë në ditë kishin një rrezik 30 për qind më të lartë për vdekje.

“Sjellja e ulur përkufizohet si çdo sjellje zgjimi që përfshin qëndrimin ulur ose shtrirë me shpenzime të ulëta të energjisë”, tha bashkëautori i studimit dr. Steve Nguyen.

Si ndikon qëndrimi ulur për orë të tëra në trup dhe në shëndetin e përgjithshëm

Autorët e studimit shpjeguan pse këto të dhëna janë shqetësuese dhe kërkojnë ndërhyrje.

“Kur jeni ulur, rrjedhja e gjakut nëpër trupin tuaj ngadalësohet, duke reduktuar marrjen e glukozës, thekson autorja kryesore e studimit”, prof. dr. Andrea LaCroix, e cila shton se në këtë pozicion muskujt nuk tkurren aq shumë, kështu që gjithçka që kërkon konsumin e oksigjenit për të lëvizur muskujt ulet dhe rrahjet e zemrës bien.

Megjithëse hulumtimet e mëparshme kanë treguar se një sasi e caktuar ushtrimesh mund të kompensojë ose neutralizojë efektet negative të sjelljes së zgjatur të ulur çdo ditë, studimi i fundit vërtetoi të kundërtën. Sipas LaCroix dhe Nguyen, edhe gratë që ushtroheshin në mënyrë të moderuar ose energjike ishin të ndjeshme ndaj të njëjtave rreziqe në rritje nëse rrinin ulur shumë gjatë ditës.

Sa shpesh duhet të bëni pushime?

“Rreziku fillon të rritet kur rrini ulur për rreth 11 orë në ditë”, tha LaCroix, duke shpjeguar se qëndrimi ulur për më shumë se 30 minuta shoqërohet me një rrezik më të lartë sesa qëndrimi ulur për vetëm 10 minuta.

Edhe pse ka profesione, si shofer kamioni, në të cilat është joreale të presësh që një person të arrijë të shtrihet çdo dhjetë minuta, këta autorë gjithsesi sugjerojnë që të përdorim të gjitha pushimet që kemi në dispozicion.

“Nëse është e mundur të bëni një pushim çdo 30 minuta ose 20 minuta, kjo është shumë më mirë sesa të mos ngriheni fare. Nëse dëshironi të bëni një shtrirje të shpejtë, të marshoni në vend ose të ecni nëpër zyrë, është shumë mirë. Edhe tre minuta ushtrime në të njëjtën kohë mund të kenë përfitime të jashtëzakonshme shëndetësore. Megjithatë, nëse nuk ia dilni, qëndrimi vetëm në këmbë do të jetë i mjaftueshëm për të thyer ciklin e qëndrimit të vazhdueshëm ulur”, përfundon LaCroix.

/Motilokal.com