IKSHPK: Nuk ka koronavirus në Kosovë, analizat për 33 rastet e dyshimta dalin negative

IKSHPK: Nuk ka koronavirus në Kosovë, analizat për 33 rastet e dyshimta dalin negative

Po thuajse ka përfshirë të gjitha kontinentet e botës sëmundja e quajtur koronavirus, Kosova vazhdon të qëndrojë e sigurt.

Nga të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 33 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

Nga data 1 shkurt deri me 1 mars nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 1.223 udhëtarë. Nga aeroporti “Adem Jashari” 322 udhëtarë, Vërmicë 367, Merdare 461, Hani i Elezit 22, Dheu i Bardhë 37, Kullë 7 dhe Qafë Morinë 7 udhëtarë.

Sot, në ANP “Adem Jashari” ekipet mjekësore të aeroportit bashkë me QKMF- Obiliq, Inspektoratin Sanitar të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës të mbështetur nga ekipi i IKSHP-së kanë kontrolluar të gjithë udhëtarët e ardhur sonte nga Verona e Italisë, sipas protokolleve të OBSH-së dhe ECDC dhe tek asnjëri nuk janë gjetur shenja klinike të sëmundjes.

Të gjithë udhëtarët janë rekomanduar:

1. Të qëndrojnë në shtëpitë e veta;

2. Të evitojnë kontaktet e afërta me persona;

3. Të evitojnë përshëndetjen me shtrëngimin e duarve;

4. Të mbajnë higjienën personale dhe larjen e duarve.

5. Në rast të shfaqjes së temperaturës, kollitjes apo vështërsive në frymëmarrje duhet të paraqiten te mjeku i familjes me historikun e udhëtimit./Motilokal.com