Dokumentohet prania edhe të nëntë llojeve të shpendëve në Kosovë

Dokumentohet prania edhe të nëntë llojeve të shpendëve në Kosovë

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka njoftuar se fotografi dhe aktivisti i botës së egër Arjan Mavriqi, përmes aktiviteteve, fotografimeve dhe xhirimeve ka arritur të dokumentojë praninë në Kosovë edhe të nëntë (9) llojeve të reja të ornito-faunës së egër, duke pasuruar kështu edhe më tej llojllojshmërinë e biodiversitetit të shpendëve në vendin tonë.  

Sipas njoftimit të AMMK-së llojet e reja të dokumentuara janë: Skifteri Peshkngrënës (Pandion haliaetus), Shqiponja Çift i zi (Milvus migrans), Kojliku i Zi (Plegaris fallcinellus), Pelikani Kaqurel (Pelecanus crispus), Gjelza Bishtzezë (Limos limosa), Dallëndyshja e Detit (Hydroprogne caspia), Sqepbiza (Recurvirostra avosseta), Gjelaci i Artë (Pluvialis apicaria) dhe Rosa me Katër Sy (Bucephala clangula).

“Falë punës së fotografëve të botës së egër, njohësve të faunës dhe adhuruesve të natyrës deri me tani në Kosovë është dokumentuar prania e mbi 200 lloje të shpendëve shtegtarë dhe jo-shtegtarë, të cilat i gjejmë kryesisht në Zonat e mbrojtura, Parqe Natyrore, Parqe  Kombëtare, Ligatina dhe ekosistemeve tjera natyrore”, thuhet në njoftim.


/Motilokal.com