Shitjet e veturave në BE u rritën fuqishëm në shkurt

Shitjet e veturave në BE u rritën fuqishëm në shkurt

Shitjet e veturave në BE u rritën fuqishëm edhe në shkurt, sipas të dhënave të Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automobilave ACEA.

Në shkurt, 883,608 vetura të reja u regjistruan në BE, 10.1 për qind më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, llogariti ACEA.

Në janar, shitjet u rritën me 12.1 për qind, duke shënuar rimëkëmbjen e tregut pas një fundi të dobët të vitit 2023.

Në grupin e tregjeve lider, shitjet në Francë dhe Itali u rritën më së shumti në muajin shkurt, me 13 për qind. Pason Spanja me një rritje prej 9.9 për qind.

Tregu më i madh evropian, Gjermania, ka shënuar rritjen më modeste, me 5.4 për qind.

Tregu evropian i veturave elektrike me bateri u rrit me 9.0 për qind në shkurt, me të njëjtin ritëm si në fillim të vitit, përllogariti ACEA, duke vënë në dukje një rritje të shitjeve në Belgjikë, Francë dhe Holandë, por edhe një rënie prej 15.4 për qind në Gjermani.

Pjesa e tregut të veturave elektrike mbeti në nivelin e shkurtit 2023, kur ishte 12 për qind.

Në dy muajt e parë të këtij viti, tregu evropian i veturave të reja u rrit me 11.2 për qind, me 1.7 milion automjete të regjistruara, llogarit ACEA.

Ndër tregjet kryesore, rritja më e lartë është shënuar në Gjermani dhe Itali, me 12 për qind, e ndjekur nga Franca me një normë rritjeje prej 11.2 për qind.

Rritjen më modeste e ka shënuar Spanja, me 8.7 për qind.

Tregu evropian i veturave elektrike me bateri u rrit me 17.4 për qind, me 198,850 automjete të reja të regjistruara. Shitjet e automjeteve me naftë janë ulur me 5.2 për qind, me 227709 automjete të shitura.

Veturat me benzinë konfirmuan pozitën udhëheqëse me një pjesë të tregut prej 35.5 për qind dhe veturat elektrike hibride ruajtën vendin e dytë me një pjesë të tregut prej 28.9 për qind.

/Motilokal.com