Gjest njerëzor, ekipi i kërkim-shpëtimit nga Kosova i shpëton disa turistë serbë në majën e Jezercës

Gjest njerëzor, ekipi i kërkim-shpëtimit nga Kosova i shpëton disa turistë serbë në majën e Jezercës

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka njoftuar se me datë 30.03.2024 ka pranuar një thirrje emergjente nga Policia shqiptare se në majën e Jezercës ka ndodhur një aksident malor.

SHKSHMK pohon se koordinimi ka qenë i shpejtë dhe se menjëherë kanë filluar operacionin e shpëtimit malor.

Informatat e para çuan në kërkim të një alpiniste kroate, e cila kishte rrëshqitur në drejtim të greminës.

E njëjta, fatkeqësisht ka ndërruar jetë.

Njoftimi i plotë:

Me datë 30.03.2024 rreth orës 11:00 kemi pranuar një thirrje emergjente nga Policia e Bajram Currit dhe qendra e Emergjencave Civile Shqiptare për ndihmë në një aksident malor në majën e Jezercës.

Me një koordinim të shpejtë dhe mbledhje të informatave fillestare me Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Shqipërisë dhe gjithë autoritet e shtetit Shqiptar, një skuadër e ShKShMK ka filluar operacionin e shpëtimit malor në koordinatat e dërguara.

Sipas informatave të para një bjeshkatare me shtetësi Kroate kishte rrëshqitur nga faqja malore shumë afër majës së Jezercës në drejtim të greminës dhe grupi tjetër i bjeshkatarëve nuk kishin më komunikim me viktimën, por kanë pasur qasje në valë dhe kanë lajmëruar autoritetet për ndihmë.

Ekipi ynë së bashku me policinë e shtetit Shqiptar dhe me anëtar të shërbimit të kërkim shpëtimit malor kanë filluar një operacion të shpëtimit nga lugina e Valbonës duke u transportuar me helikopter deri në një pikë të afërt ku ka patur mundësi aterrimi.

Fillimisht është bërë qasja te viktima L.Z e lindur më 1981, e cila kishte pësuar lëndime vdekjeprurëse dhe ishte gjetur pa shenja jete, pastaj është realizuar bartja e kufomës deri në helikopter për transport në spitalin më të afërt.

Kurse operacioni ka vazhduar me qasje te pjesa e tjetër e grupit të cilët ishin ngujuar në një pozitë të rrezikshme (7 bjeshkatarë, 4 shtetas të Kroacisë dhe 3 të Serbisë).

Me të arritur te ngujuarit, shpëtuesit tanë kanë ndërtuar sistem të sigurisë me litar duke i lëshuar deri në pikë të sigurt (evakuim teknik) dhe nga aty janë evakuuar në drejtim të fshatit Vuthaj të Malit të Zi.

Në pjesën Malazeze është bërë koordinimi me Shërbimin e Shpëtimit Malor të Malit të Zi "GSS Crna Gora" dhe operacioni ka përfunduar me sukses pas 10 orëve të plota.

Shprehim ngushëllime për bjeshkataren e ndjerë dhe i falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit.


/Motilokal.com