Scholz mirëpret automjetet kineze me konkurrencë të ndershme

Scholz mirëpret automjetet kineze me konkurrencë të ndershme

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha gjatë një vizite në Kinë të hënën se automjetet kineze do të jenë të mirëseardhura në tregun gjerman, por paralajmëroi ndaj përdorimit të praktikave të padrejta tregtare.

Edhe pse ekonomia gjermane ka përfituar nga kërkesa kineze për produkte të tilla si vetura dhe kimikate, marrëdhëniet kanë qenë të tendosura me kompanitë gjermane, të cilat argumentojnë se përballen me barriera të padrejta të tregut në Kinë. E vetmja gjë që duhet të jetë e qartë është "konkurrenca e ndershme”, tha Scholz.

Scholz, i cili ndodhet në një udhëtim tre-ditor me disa drejtues të lartë gjermanë në Kinë, i bëri këto komente në një fjalim në Universitetin Tongji në Shangai. Ai vuri në dukje se kur automobilët japoneze dhe koreanojugorë u lejuan në Evropë, ekzistonte frikë se ato do të pushtonin plotësisht tregun në një zhvendosje të njëanshme drejt Azisë.

"Marrëzi!", tha kancelari. "Tani ka automobila japonezë në Gjermani dhe automobila gjermanë në Japoni," tha ai. "Dhe e njëjta gjë mund të thuhet për Kinën dhe Gjermaninë."

"Në një moment, do të ketë edhe automobila kinezë në Gjermani dhe Evropë. E vetmja gjë që duhet të jetë gjithmonë e qartë është se konkurrenca duhet të jetë e ndershme. Kjo do të thotë, të mos ketë dumping, mbiprodhim, të mos ketë shkelje të së drejtës së autorit", tha Scholz.

Scholz-i shtoi se vendet e vogla nuk duhet të kenë frikë nga të mëdhenjtë. Megjithatë, ai nuk përmendi Kinën apo Tajvanin me emër. Kina pretendon Tajvanin si pjesë të territorit të saj dhe nuk e ka përjashtuar aneksimin e tij me forcë, nëse e sheh të nevojshme.

"Bota funksionon kur të gjithë kemi disa parime të përbashkëta", tha Scholz. "Një nga këto parime është se ne nuk duhet të kemi frikë nga fqinjët tanë". "Ne e duam këtë në jetën tonë."

"Nëse fqinji ynë është i madh, i fortë dhe muskuloz, ne gjithmonë duam ta përshëndesim dhe të jemi të sigurt se ai nuk do të na lëndojë kurrë," u tha ai studentëve në Universitetin e Shangait.

E njëjta gjë, tha ai, është e vërtetë midis kombeve dhe se vendet "nuk duhet të kenë frikë fare nga njëri-tjetri". "Kufijtë nuk duhet të zhvendosen me forcë. Kjo është e gjithë çështja."

Çfarë tjetër është në rendin e ditës?

Në Shangai, Scholzi planifikon të vizitojë edhe një qendër inovacioni të prodhuesit gjerman të plastikës Covestro. Më vonë të hënën, kancelari është i ftuar për darkë nga Sekretari i Partisë së Shangait, Chen Jining.

Ndalesa e dytë e vizitës treditore të kancelarit, Shangai, vjen pas një dite të parë në Chongqing, në jugperëndim të vendit. Të martën ai do të shkojë në Pekin për t'u takuar me presidentin kinez Xi Jinping dhe kryeministrin Li Qiang.

Vizita e Scholz-it vjen kur Bashkimi Evropian po shqyrton tarifa ndëshkuese për të mbrojtur prodhuesit e BE nga veturat elektrike kineze të importuara, me çmime më të përballueshme.

Kancelarin e shoqërojnë një duzinë drejtorësh ekzekutivë, duke përfshirë krerët e prodhuesve gjermanë të automjeteve Mercedes-Benz dhe BMW, si dhe kompania kimike BASF. Volkswagen-i, prodhuesi më i madh i automjeteve në Evropë, mungon në udhëtim.

Fotografia: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

/DW/Motilokal.com