Tregu i veturave elektrike u fundos në mars

Tregu i veturave elektrike u fundos në mars

Shitjet e veturave në BE ranë në mars për herë të parë që nga fillimi i vitit, njoftoi shoqata e prodhuesve ACEA.

Një milion vetura të reja u regjistruan në BE në mars, 5.2 për qind më pak se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, llogariti ACEA. Në shkurt u rrit me 10.1 për qind.

Në grupin e tregjeve kryesore, shitjet në Gjermani shënuan rënien më të madhe në muajin mars, me 6.2 për qind. Pasojnë Spanja dhe Italia, me rënie të shitjeve përkatësisht me 4.7 dhe 3.7 për qind. Tregu francez, nga ana tjetër, ka shënuar rënie të lehtë me 1.5 për qind.

Tregu evropian i veturave elektrike të baterive u fundos në mars dy herë më shumë se tregu në tërësi, me 11.3 për qind, llogariti ACEA, duke vënë në dukje rënien prej 28.9 për qind në Gjermani.

Megjithatë, pjesa e tregut të veturave elektrike është rritur lehtë në krahasim me muajin shkurt, në 13 për qind.

Rritje në tremujorin e parë

Në tremujorin e parë të këtij viti, tregu evropian i veturave të reja u rrit me 4.4 për qind, me 2.8 milionë automjete të regjistruara, llogarit ACEA.

Ndër tregjet kryesore, Italia dhe Franca shënuan rritjen më të lartë, me një normë prej 5.7 për qind. Gjermania dhe Spanja pasojnë me rritje të shitjeve përkatësisht 4.2 dhe 3.1 për qind.

Tregu evropian i veturave elektrike me bateri u rrit me 3.8 për qind, me pothuajse 333,000 automjete të reja të regjistruara. Shitjet e automjeteve me “naftë” janë ulur me 10.6 për qind, me 355 352 vetura të shitura.

Veturat me benzinë konfirmuan pozitën e tyre udhëheqëse me një pjesë të tregut prej 35.4 për qind dhe veturat elektrike hibride ruajtën vendin e dytë me 29 për qind.

/Motilokal.com