A ishte mishi i eksportuar në Shqipëri nga Brazili? AUV jep detaje të rëndësishme

A ishte mishi i eksportuar në Shqipëri nga Brazili? AUV jep detaje të rëndësishme

Para disa ditësh u bë lajm kompania e përpunimit të mishit “Apetit” se kishte eksportuar në Shqipëri mish të Brazilit si mish të Kosovës.

Pas këtij lajmi, kjo kompani kishte mohuar akuzat duke pretenduar se janë të sponsorizuara nga konkurrenca.

Kjo çështje aktivizoi Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë si autoritet kompetent për sigurinë e ushqimit në vend.

Kjo agjenci sot ka publikuar një komunikatë për opinion publik ku pas hulumtimeve dhe inspektimeve të përbashkëta me autoriteti në Shqipëri konstatojnë se mishi i eksportuar në Shqipëri nga “Apetit” është mish nga kafshët e therura në Kosovë e jo siç u pretendua se ishte i Brazilit.

“Dërgesa e produktit mish gjedhi i ngrirë 1,000.00 kg/neto (një mijë), e certifikuar nga AUV me datë 18.03.2024 dhe dërguar në Shqipëri më datë 19.03.2024, të cilës ju ka referuar emisioni “STOP”, rezulton nga kafshët e therura në Kosovë”, thuhet në komunikatën e AUV-it.

AUV siguron opinionin publik se ushqimi që ka qarkulluar dhe qarkullon në tregun e brendshëm, është eksportuar, importuar si lëndë e parë, si gjysmë produkte apo edhe si produkte finale, ka qenë dhe është në pajtim me legjislacionin në fuqi, respektivisht me Ligjin për Ushqimin.

Komunikata e plotë e AUV:

Njoftim për opinionin!

Pas njoftimit me rastin për dyshimin e ngritur dhe pretendimeve për sigurinë dhe cilësinë e mishit të eksportuar në Shqipëri nga një subjekt ekonomik vendor, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë si autoriteti kompetent për siguri ushqimore në vend, ofron sqarime dhe informon opinion publik lidhur me rastin në fjalë:

1. Sipas detyrës zyrtare kemi ndërmarrë masa në harmoni me dispozitat ligjore sipas vlerësimit të rrezikut, për ndalimin e përkohshëm të eksportit deri në verifikimin dhe sqarimin e rastit.

2. Është formuar komisioni profesional ndër-institucional (AUV, Dogane, ATK) për auditimin, gjurmueshmërinë dhe verifikimin e përputhshmërisë së lëndëve/dokumenteve (importit, eksportit, prodhimit/përpunimit, deponimit).

3. Pikënisja e verifikimit ka qene certifikimi i ngarkesës Nr. CVE05770/2024, datë 18.03.2024 në sasi: 1,000 kg (njëmijë) me përshkrimin: mish gjedhi i ngrirë pa kocka - Subjekti eksportues APETIT (Kosovë) dhe subjekti importues SES FOOD DENIS RECI (Shqipëri).

4. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në bashkëpunim të ngushtë me autoritetin homolog të Shtetit Shqiptar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, kanë shkëmbyer informatat e nevojshme lidhur me rastin duke ngritur Trupën e Përbashkët Punuese.

5. Nga rezultatet e gjurmueshmërisë dhe auditimit ka rezultuar që Certifikimi i eksportit në Shqipëri është realizuar në përputhje me legjislacionin përkatës dhe praktikat e aplikuara për këtë qëllim ndërsa AUV si autoritet kompetent ka vepruar ligjërisht sipas vlerësimit të rrezikut, diskrecionit dhe kompetencave të tij.

6. Dërgesa e produktit mish gjedhi i ngrirë 1,000.00 kg/neto (një mijë), e certifikuar nga AUV me datë 18.03.2024 dhe dërguar në Shqipëri më datë 19.03.2024, të cilës ju ka referuar emisioni “STOP”, rezulton nga kafshët e therura në Kosovë. 

7. Janë paraqitur të gjitha informatat në etiketim-deklaracion për identifikimin, jetëgjatësinë dhe gjurmimin e produktit.

8. Me kërkesë të autoriteteve të Shqipërisë janë verifikuar Certifikatat Veterinare Shëndetësore të eksportit dhe produkteve të mishit të gjedhit të cilat rezultuan të jenë në përputhshmëri, brenda standardeve dhe të harmonizuara. Nga ky verifikim u vërtetua se produkti (mish gjedhi) ka patur origjinë nga Kosova ashtu siç edhe është deklaruar!

9. Mostrat e marra dhe të testuara nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të Republikës së Shqipërisë, kanë rezultuar në përputhshmëri dhe konform parametrave dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Gjatë inspektimeve zyrtare për produktet me origjinë nga Kosova të subjektit ekonomik përkatës, nuk është gjetur ndonjë parregullsi e cila do të mund të kishte ndonjë ndikim në sigurinë ushqimore.

10. Bazuar në rezultatet e inspektimit, auditimit, gjurmimit dhe mostrimit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës konfirmon se nuk është cenuar shëndeti i konsumatorit dhe se mishi dhe produktet e tij janë të përshtatshme për konsum (eksport, import dhe treg të brendshëm).

11. Sasia e mishit të freskët që është eksportuar në Shqipëri por edhe në tregun e brendshëm, rezulton se është gjeneruar nga therja e kafshëve në thertoren e subjektit të cilat janë nënshtruar kontrollit veterinar (para, gjatë dhe pas therjes). Kafshët e therura kanë rezultuar të përshtatshme për konsum human. Kafshët janë therur, copëtuar, kategorizuar dhe paketuar në thertoren e subjektit.

12. Sa i përket çështjes së pretendimeve për evazion fiskal të subjektit ekonomik, është çështje e cila del përtej kompetencave zyrtare të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës dhe me te njëjtën çështje janë duke u marre autoritetet tjera përkatëse.

Me sa u tha më lart, sigurojmë opinionin publik se ushqimi që ka qarkulluar dhe qarkullon në tregun e brendshëm, është eksportuar, importuar si lëndë e parë, si gjysmë produkte apo edhe si produkte finale, ka qenë dhe është në pajtim me legjislacionin në fuqi, respektivisht me Ligjin nr. 08-120 për Ushqimin.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, përmes Planeve të Kontrolleve Zyrtare dhe Monitorimit të Mbetjeve vazhdimisht kryen inspektime, auditime dhe mostrime në subjektet afariste prodhuese, përpunuese, distribuese dhe importuesit-depot ftohëse.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës është në komunikim të vazhdueshëm me palët e interesit: IKSHP, Shoqatën e Konsumatorëve, OBU, Menaxhimin e Emergjencave, Qendrat Shëndetësore etj, për monitorimin e situatës dhe menaxhimin e rasteve të sëmundjeve alimentare ushqimore akute.

Subjektet-operatorët e biznesit me ushqim janë duke vazhduar në instalimin e Sistemeve të Vet-Kontrollit për zbatimin e praktikave të mira të punës me ushqim dhe implementimin e programit sipas parimeve Sistemit HACCP sipas analizës së rrezikut të pikave kritike të kontrollit.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës po ashtu komunikon dhe koordinohet me partnerët Evropian dhe Ndërkombëtar (RASFF, EFSA, WHO, INFOSAN, FAO, WOAH, ECDC dhe autoritetet kompetente  të vendeve partnere) për shkëmbimin e informacioneve dhe pranimin e opinioneve shkencore për reagimet emergjente dhe monitorimin e situatës në rast të helmimeve ose incidenteve me ushqim.

/Motilokal.com