Një stuhi e fortë rëre paralizon Libinë Lindore

Një stuhi e fortë rëre paralizon Libinë Lindore

Një stuhi e fortë rëre shpërtheu nga shkretëtira e Saharasë në të gjithë Libinë Lindore të hënën, duke ndërprerë trafikun ajror në lindje të vendit dhe duke çuar në mbylljen e zyrave dhe shkollave.

Të dielën në mbrëmje, autoritetet në lindje shpallën të hënën dhe të martën “pushim zyrtar për shkak të kushteve të këqija të motit” në të gjitha administratat publike, sipas asaj që u raportua nga Agjencia zyrtare Libiane e lajmeve.

Gjithashtu, u dhanë udhëzime për vendosjen e barrierave të sigurisë dhe zbatimit të ligjit në rrugët publike, për rregullimin e qarkullimit dhe lëvizjes së njerëzve në zonat ku dukshmëria është e dobët.

Në qytetin Derna në lindje të Libisë u shpall gjendja e alarmit, për të parandaluar dhe mbrojtur popullsinë e prekur, e cila është ende në gjendje shoku pas përmbytjeve vdekjeprurëse që ndodhën në shtator 2023, duke lënë mijëra viktima dhe njerëz të zhdukur e duke shkaktuar zhvendosjen e më shumë se 40 mijë njerëzve.

Përveç kësaj, erërat e forta frynë mbi qytetet Tobruk, Al-Bayda dhe Ajdabiya në verilindje të Libisë, duke e bërë dukshmërinë shumë të dobët dhe duke i detyruar njerëzit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Si masë paraprake, trafiku ajror u pezullua të hënën deri në njoftimin e mëtejshëm në të gjitha aeroportet në rajon, përfshirë aeroportin Benina në Bengazi, ku një shtresë e trashë rëre mbuloi pistën, sipas pamjeve të transmetuara nga mediat lokale.


Shpejtësia e erërave të ngarkuara me rërë pritet të arrijë në 60 ose 70 kilometra në orë, sipas mediave lokale.

Saleh Al-Amrouni, drejtor i aeroportit, tha për kanalin satelitor Al-Masar: "Të gjitha fluturimet për dhe nga aeroporti Benina janë shtyrë për shkak të mungesës së dukshmërisë dhe kushteve të këqija të motit".

/Motilokal.com