Fluturojnë çmimet e prodhimeve vendore në Kosovë

Fluturojnë çmimet e prodhimeve vendore në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi për tremujorin e parë (TM1) 2024.

Në publikimin e ASK-së të bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë, në tre mujorin e parë, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 2.8%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023. 

Sipas ASK-së indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 7.3%.

Në njoftim theksohet se indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 5.3%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.

“Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë”, thuhet në raport.

/Motilokal.com