Prokuroria Themelore në Gjakovë, sekuestron mjetet me të cilat është degraduar dhe shkatërruar mjedisi

Prokuroria Themelore në Gjakovë, sekuestron mjetet me të cilat është degraduar dhe shkatërruar mjedisi

Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton se pas një inspektimi të kryer nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka konstatuar se në disa fshatra të Komunës së Rahovecit, është duke u degraduar ambienti për shkak të aktivitetit ilegal të nxjerrjes së zhavorrit përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë.

“Prokurori koordinator për hetimin e Krimeve Kundër Mjedisit, Kastriot Memaj, ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit nga neni 338 i KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, është urdhëruar sekuestrimi i një kamioni transportues dhe një ekskavatori si mjete të përdorura në kryerjen e veprës penale.

Njëkohësisht, në koordinim me policinë, janë duke u ndërmarrë veprime aktive me drejtim të kapjes së kryesve të kësaj vepre penale.

Prokuroria e njofton opinionin publik se mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bën thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e këtyre dukurive.

/Motilokal.com