Prokuroria Themelore në Gjakovë, përmes një komunikate njofton se aksioni për sekuestrimin e mjeteve të përdorura për degradimin dhe shkatërrimin e mjedisit është në vazhdim.
“Pas një inspektimi të kryer nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është konstatuar se në disa fshatra të Komunës së Rahovecit, ambienti po degradohet për shkak të aktivitetit ilegal të nxjerrjes së zhavorrit përgjatë shtratit të lumit Drini i Bardhë”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se prokurori koordinator për hetimin e Krimeve Kundër Mjedisit, ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale "Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit" nga neni 338 i KPRK-së.

Në komunikatë bëhet e ditur është urdhëruar sekuestrimi i një kamioni transportues, tre ekskavatorëve dhe një seperacioni me të gjitha pajisjet përcjellëse të përdorura në kryerjen e veprës penale.

“Prokuroria njofton se aksioni për sekuestrimin e mjeteve të përdorura në aktivitete e paligjshme do të vazhdojë deri në kapjen e të gjitha mjeteve dhe personave përgjegjës.
Prokuroria e njofton opinionin publik se mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bën thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e këtyre dukurive”, thuhet në komunikatën Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

/Motilokal.com
