Aprovohet Plani i Menaxhimi të Pellgut Lumor “Drini i Bardhë”

Aprovohet Plani i Menaxhimi të Pellgut Lumor “Drini i Bardhë”

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka njoftuar se pas mbledhjes së Qeverisë, në konferencë për media, ka prezantuar vendimin e shumëpritur të aprovimit të dokumentit më të rëndësishëm të menaxhimit të pellgjeve, Aprovimin e Planit të Menaxhimit të Pellgut Lumor të Drinit të Bardhë.

“Përveç se përmes këtij plani do të arrihet një status më i mirë i ujërave sipërfaqësor dhe nëntokësor, njëherësh përmes këtij plani zbatojmë edhe një nga objektivat e Direktivës Kornizë të Ujërave të Komisionit Evropian”, ka thënë Aliu.

Ai ka theksuar se objektivi kryesor i Planit të Menaxhimit të Pellgut të Lumit Drini i Bardhë, është që të zbatohet Programi i Masave që parandalon ekspolatimin e inerteve – rërës dhe zhavorit nga lumi Drin, si dhe arritjen e cilësisë më të mirë të ujit, që mund të përdoret më tej edhe për rekreacion.

Tutje ai u shpreh se për tre planet tjera, të pellgut Ibër, Lepenc dhe Moravë e Binçës, tashmë i kemi finalizuar draftet dhe i kemi kaluar të gjitha fazat e diskutimeve publike me palët e interesit, ku së shpejti pritet që t’i dërgojmë në qeveri për aprovimin e tyre.

“Këto katër plane kanë qenë të parapara të aprovohen qysh në vitin 2006 sipas Ligjit për Ujëra të Vitit 2004 dhe gjithashtu, pas miratimit të Ligjit për Ujëra të vitit 2013. Nga viti 2021 deri më tani, kemi punuar vazhdimisht me donatorët (SIDA & SDC), për t’i finalizuar dokumentet themelore për menaxhimin e resurseve ujore”, ka deklaruar ministri Aliu.

/Motilokal.com