Një turbinë e re me erë e patentuar nga Aeromine Technologies mund të prodhojë 50 për qind më shumë energji sesa panelet diellore të çatisë me të njëjtën kosto, pretendon kompania.
Kjo teknologji nuk përdor tehe klasike, por është një pajisje e mbyllur që është projektuar kryesisht për instalim në çati të mëdha, si ato në ndërtesat e banimit, dyqane, fabrika ose depo të mëdha. Teknologjia përdor aerodinamikë të sofistikuar, të ngjashme me një makinë garash, për të kapur dhe përforcuar rrymat e ajrit. Pajisja zë rreth 10 për qind të hapësirës së nevojshme për panelet diellore dhe prodhon energji 24 orë në ditë, për aq kohë sa fryn era.
Aeromine pretendon se, ndryshe nga turbinat e erës konvencionale që janë të zhurmshme, vizualisht ndërhyrëse dhe të rrezikshme për zogjtë migrues, sistemi i patentuar është vizualisht i palëvizshëm dhe pothuajse i heshtur. Ndryshe nga fermat e mëdha të erës në tokë dhe në det të hapur, këto sisteme mund të montohen në çati, duke e afruar energjinë aty ku nevojitet dhe duke reduktuar nevojën për infrastrukturë të shtrenjtë të transmetimit të energjisë në distanca të gjata.

Çdo njësi peshon pak më pak se 500 kilogramë, mund të përballojë erërat deri në 200 km/h dhe mund të përmirësohet për t'i bërë ballë uraganeve dhe erërave më të shpejta se 400 km/h. Sistemi i gjeneratorit Aeromine është një sistem rotor/stator i teknologjisë së fundit me një gjenerator me magnet të përhershëm 5 kW.
Një instalim tipik do të lidhë 10 njësi ose më shumë, për një kapacitet total prej 50 kW në çati. Prodhimi i energjisë elektrike i një sistemi me dhjetë njësi, 50 kW ndryshon shumë. Aeromine pretendon se një lartësi e çatisë prej pesë metrash dhe një shpejtësi mesatare e erës prej 4.5 metra në sekondë do të mjaftonte për të prodhuar 20,000 kWh në vit, ndërsa i njëjti sistem në një çati 15 metra të lartë me një shpejtësi mesatare të erës prej 8 metrash në sekondë do të prodhojnë mbi 150,000 kWh në vit.
Aeromine pretendon se çmimet janë në përputhje me ato të sistemeve diellore komerciale të krahasueshme në çati. Kompania synon t'i prezantojë këto sisteme në tregjet evropiane dhe të Amerikës së Veriut tashmë vitin e ardhshëm.
/Motilokal.com
