Ujësjellësi "Prishtina" ka bërë thirrje për shpenzim të kujdesshëm të ujit të pijshëm përmes një postimi në Facebook. Në njoftim, kompania thekson se gjysma e popullsisë botërore përballet me mungesën e ujit të pijshëm. Uji është esencial për jetën dhe planetin, duke u përdorur jo vetëm për pije dhe higjienë, por edhe për prodhim, furnizim dhe zhvillim.
"Uji sot nuk duhet të shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar, me ç'rast zvogëlojmë rezervat e ujit të pijshëm. Uji duhet kursyer pikë për pikë. Vetëm kështu sigurojmë sasi të mjaftueshme të ujit të pijshëm për të ardhmen”, thuhet në njoftim.
Ujësjellësi "Prishtina" thekson gjithashtu se ka një rritje të kërkesave për ujë të pijshëm, pavarësisht se shpërndarja bëhet në mënyrë të barabartë dhe me kapacitete maksimale trajtuese. Për këtë arsye, kompania kërkon nga qytetarët që të shpenzojnë ujin në mënyrë racionale.
"Ne jemi duke inspektuar terrenin për kyçje ilegale dhe keqpërdorime të ujit në zonat urbane dhe rurale. Ujin mund ta zëvendësojë vetëm uji. E ardhmja varet nga disa veprime që ne i marrim sot", apelon Ujësjellësi "Prishtina".
/Motilokal.com
