Me kënaqësi të madhe njoftohet hapja zyrtare e Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Kosovës. Ceremonia zyrtare e këtij objekti shkencor të rëndësishëm do të zhvillohet më 19 qershor 2024, ku do të marrin pjesë zyrtarë dhe të ftuarit me ftesë, ndërsa nga data 20 qershor 2024 do të hapet për publikun e gjerë. Ky lajm është bërë i ditur nga klubi i Astronomisë në Kosovë, “Astronomy Outreach of Kosovo” (AOK).
“Hapja e Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Republikës së Kosovës është një moment historik për vendin tonë,” shprehen nga AOK. “Kjo qendër shkencore është një dëshmi e përpjekjeve dhe bashkëpunimit të vizionarëve që kanë dedikuar ekspertizën e tyre për ta bërë këtë projekt realitet.”
AOK fton të gjithë qytetarët të marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme, duke theksuar rëndësinë e saj për nxitjen e literaturës shkencore dhe pasionit për hulumtime dhe zbulime shkencore tek brezat e ardhshëm. “Ne presim me padurim pjesëmarrjen tuaj në hapjen zyrtare, ku do të hedhim hapin e parë për të nxitur krijimin e praktikës së literaturës shkencore, e po ashtu për të ndezur kureshtjen dhe pasionin për hulumtime dhe zbulime shkencore në zemrat dhe mendjet e brezave të ardhshëm”, theksuan nga AOK.
Sipas njoftimit të AOK, ceremonia e hapjes zyrtare do të fillojë në ora 10:00 dhe do të zgjasë deri në ora 23:00. Programi përfshin një sërë aktivitetesh që synojnë të edukojnë dhe angazhojnë publikun me astronominë dhe shkencën:
- Vrojtimi i diellit me teleskop
- Punëtori praktike për operimin e teleskopit nga astronomë të huaj
- Shfaqje shkencore në Planetarium
- Vrojtim i qiellit natën përmes teleskopit kryesor të observatorit.
Kurse, të ftuarit special që do të mbajnë punëtori dhe do të diskutojnë me pjesëmarrësit për fushën e Astronomisë janë astronomë, një ish-inxhinier i Agjencisë amerikane të hapësirës NASA, profesorë të Universitetit të Kalifornisë “Santa Cruz”, ekspertë të vrojtimit nga kompania ‘Celestron’ (kompani e teleskopëve dhe mjeteve optike për vrojtim), si dhe studentë kosovarë që janë në studime të doktoratës në Shkenca Planetare dhe Fizikë mjekësore.
/Motilokal.com
