Një elefant në Tajlandën qendrore ka sjellë në jetë binjakë, të cilët stafi i cilësoi si një mrekulli pasi ndodh shumë rrallë.
Askush nuk e priste që nëna, 36-vjeçarja Çamçuri (Chamchuri), të lindte binjakë dhe kur ajo lindi për herë të parë një këlysh mashkull të premten e kaluar, stafi në Pallatin e Elefantëve Ayutthaya dhe fermën e elefantëve Royal Kraal e konsideruan lindjen të plotë, raporton BBC.
Teksa pastronin këlyshin e parë dhe e ndihmuan të ngrihej në këmbë, dëgjuan një goditje të fortë dhe panë se Çamçuri kishte lindur një këlysh të dytë, këtë herë një femër. Pas lindjes së dytë, stafit iu desh të frenonte nënën që të mos shkelte këlyshin e femrës, pasi ajo ishte në panik, duke plagosur një kujdestare.

Binjakët ndodhin vetëm në një për qind të lindjeve të elefantëve dhe çiftet binjake mashkull-femër janë edhe më të rralla, sipas Save the Elephants, një organizatë kërkimore.
“Ne gjithmonë kemi dashur të shohim binjakë elefantësh, por jo të gjithë mund ta shohin atë sepse nuk ndodh shpesh”, tha për BBC veterineri Lardthongtare Meepan, e cila u rrit në këtë fermë elefantësh dhe është vetë nënë e binjakëve.
Charin Somwang, një kujdestar i elefantëve 31-vjeçar, i ashtuquajturi mahout, theu këmbën duke frenuar elefantin.
"Isha aq i lumtur sa nuk ndjeva asnjë dhimbje", tha ai për BBC, duke shtuar se e kuptoi shkallën e lëndimeve të tij vetëm kur u dërgua në spital.
Elefantët konsiderohen të shenjtë në Tajlandë, ku shumica e popullsisë janë budiste. Ata janë gjithashtu një simbol kombëtar. Vizitorët e parkut, përfshirë fëmijët, lejohen të shohin binjakët, por vetëm pasi të kenë dezinfektuar këpucët dhe duart.
/Motilokal.com
