Volkswagen planifikon të investojë mbi miliarda dollarë në Rivian

Volkswagen planifikon të investojë mbi miliarda dollarë në Rivian

Gjiganti gjerman i automobilave Volkswagen ka njoftuar se do të investojë deri në 5 miliardë dollarë në kompaninë Rivian, e cila është rivale e Tesla-s.

Marrëveshja përfaqëson një projekt të përbashkët që do të lejojë Volkswagen dhe Rivian, një kompani amerikane që prodhon automjete elektrike, të ndajnë teknologjinë. Pas këtij njoftimi, vlera e aksioneve të Rivian u rrit me gati 50 për qind.

Ky bashkëpunim erdhi në një kohë kur konkurrenca mes prodhuesve të veturave elektrike po intensifikohet dhe ndërkohë që vendet perëndimore po vendosin tarifa për importet e veturave kineze.

Sipas marrëveshjes, Volkswagen fillimisht do të investojë 1 miliardë dollarë në Rivian, e cila aktualisht prodhon kamionçina elektrike dhe SUV, ndërsa 4 miliardë dollarë shtesë do të “injektohen” deri në vitin 2026.

Rivian, e cila u themelua në vitin 2009, nuk ka publikuar ende të dhënat e fitimit tremujor dhe në tre muajt e parë kompania ka shënuar një humbje neto prej më shumë se 1.4 miliardë dollarë.

Volkswagen, si shumica e gjigantëve të tjerë të automjeteve, është nën presion të madh nga rivalët, duke përfshirë Tesla dhe BYD të Kinës, ndërsa përpiqet të largohet nga prodhimi i automjeteve me motorë konvencionale në vetura elektrike.

Ndërkohë, disa startupe elektrike po përpiqen të lulëzojnë në një treg shumë konkurrues dhe normat më të larta të interesit po ndikojnë në blerjet.

Partneriteti i ri do t'i japë Volkswagen-it akses në softuerin e Rivian, në mënyrë që të mund ta përdorë atë për automjetet e tij.

Gjigantët e industrisë së automjeteve si Volkswagen po përballen me konkurrencë në rritje nga prodhuesit kinezë, të cilët po zgjerohen globalisht.

Në fillim të këtij muaji, Bashkimi Evropian njoftoi se do të rrisë tarifat për importet e veturave elektrike kineze deri në 38 për qind. Zyrtarët kinezë dhe të BE-së zhvilluan bisedime përpara afatit të 4 korrikut.

Një hetim shumë-mujor, i kryer nga Komisioni Evropian, zbuloi se kompanitë kineze ishin "subvencionim të padrejtë". Kinezët u përgjigjën duke pretenduar se tarifat shkelin rregullat e tregtisë ndërkombëtare dhe e quajtën hetimin "proteksionizëm".

Plani vjen vetëm një muaj pasi SHBA njoftoi rritjen e tarifave për automjetet elektrike kineze nga 25 në 100 për qind.

/Motilokal.com