Shkencëtarët gjetën mikroplastikë në mostrat e indeve gjenitale nga gjashtë burra të trajtuar për mosfunksionim erektil.
Zbulimi "ngre pyetje në lidhje me pasojat e ndotësve të mjedisit në shëndetin seksual", thonë shkencëtarët nga Universiteti i Majamit dhe qendra kërkimore Helmholtz-Zentrum Hereon e Gjermanisë.
Mikroplastika janë zakonisht një nënprodukt i mbetjeve plastike që shpërbëhen pa kujdes në natyrë.
Fragmentet janë deri në 5 milimetra në diametër, ose madhësia e një kokrre orizi.
Sipas studiuesve, ndotësi i kudogjendur "ka hyrë në atmosferë, në ujërat e ëmbla dhe ekosistemet tokësore dhe përshkon ushqimet e detit, kripën e detit dhe pijet në shishe".
Hulumtimi u botua në The International Journal of Impotence Research, më pak se një muaj pasi një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Nju Meksikës gjeti mikroplastikë në testikujt e njeriut dhe qenve.
Studime të tjera të kohëve të fundit kanë zbuluar se plastika edhe më e vogël, nanoplastika, hyn në qarkullimin e gjakut të njeriut dhe kalon nga nëna tek fëmija në mitër.
Sipas një deklarate të fundit nga Parlamenti Evropian, sasia e mbeturinave të ambalazheve plastike në Bashkimin Evropian "është rritur nga 66 milionë ton në vitin 2009 në 84 milionë tonë në vitin 2021".
Vlerësime të tjera tregojnë se sasia vjetore globale e mbetjeve plastike ka tejkaluar 400 milionë tonë në vit. Vitet e fundit, kombet e pasura janë akuzuar për eksportimin e mbeturinave në landfillet në Azi për asgjësim, gjë që në fakt përhap ndotjen mikroplastike.
/Motilokal.com
