Pas një pritjeje të gjatë, projekti “Borea” merr pëlqimin e Ministrisë së Mjedisit

Pas një pritjeje të gjatë, projekti “Borea” merr pëlqimin e Ministrisë së Mjedisit

Pas më shumë se pesë vjetësh që nga kërkesa për pëlqim mjedisor, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Mjedisor dhe Infrastrukturës ka miratuar përfundimisht projektin “Borea”.

Ky projekt, i filluar para gjashtë vjetësh gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit Isa Mustafa, ka qenë i bllokuar për disa vite. Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, kishte akuzuar politikën për pezullimin e lejes së ndërtimit nga Ministria e Ambientit gjatë qeverisë së Ramush Haradinaj.

Qendra e Skive “Borea” në Pejë, e cila konsiderohet një mundësi e madhe për zhvillim, do të shtrihet në zonën ku më parë ishte kazerma e ushtrisë jugosllave. Operatori fitues i tenderit për ndërtimin e “Borea” në Bjeshkët e Kopranikut të Pejës është konsorciumi italiano-zviceran Leitner AG Spa & Filav SA.

“Borea” ndodhet vetëm 900 metra larg nga qendra e qytetit të Pejës, dhe pozita e saj gjeografike e bën një nga qendrat më të mira në rajon. Në vetëm 13 minuta, mund të arrihet në lartësinë mbidetare prej 2,400 metrash, duke ofruar kapacitet shfrytëzimi për të katërt stinët e vitit.

Projekti “Borea” përfshin një hotel me mbi 150 dhoma dhe një kompleks apartamentesh. Gjithashtu, do të ketë një qendër ku njerëzit mund të ushqehen dhe të marrin pajisje skish. Nga kjo pikë, teleferiku do të çojë vizitorët deri në “Livadhi i Adilit” apo Borea, ku do të jetë një restorant. Prej aty, sipas projektit, fillojnë pistat e skive deri në maje të malit.


/Motilokal.com