Partia Popullore Evropiane (EPP), grupi politik në krye të Parlamentit Evropian, dëshiron të rishikojë Marrëveshjen e Gjelbër, e cila kërkon ndalimin e shitjes së veturave të reja me motorë me djegie të brendshme nga viti 2035.
Siç dihet, nga viti 2035 të gjitha veturat e reja të shitura në Bashkimin Evropian do të duhet të jenë elektrike ose të përdorin hidrogjen për lëvizje. Kjo pasi që nga ai vit, sipas vendimit të Paktit të Gjelbër, do të ndalohet shitja e veturave të reja me motorë termikë SUS.
Të paktën ky ishte plani fillestar i Bashkimit Evropian, sepse vendimi i Paktit të Gjelbër mund të ndryshohej në favor të mbajtjes së motorëve SUS edhe pas vitit 2035. Sipas informacioneve të fundit të publikuara në botimin Bloomberg, Partia Popullore Evropiane, formacioni më i madh politik brenda Parlamentit Evropian, dëshiron të rishikojë këtë pakt për të mbrojtur kompanitë dhe familjet në Bashkimin Evropian.
Prandaj, EPP propozon transformimin e Marrëveshjes së Gjelbër në një Marrëveshje të Gjelbër për Rritje. Nëpërmjet këtij pakti, EPP ruan qëllimin e saj për të reduktuar emetimet e gazeve serrë me 55 për qind deri në vitin 2035, por dëshiron ta arrijë këtë qëllim "me më pak burokraci dhe më shumë hapje teknologjike", thotë Peter Liese, koordinator i politikave mjedisore brenda partisë EPP.
Në Evropë ka një shqetësim të madh për rritjen e kostove të jetesës si rezultat i kalimit në lëvizjen elektrike. Kjo ishte një nga arsyet kryesore pse u rrit mbështetja për formacionet konservatore, madje edhe të ekstremit të djathtë në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian të 9 qershorit.
Vitin e kaluar, Gjermania i bëri presion lidershipit të Bashkimit Evropian për të lejuar shitjen e veturave të reja me motorë me djegie të brendshme pas vitit 2035, me kusht që ato të funksionojnë me lëndë djegëse sintetike. Me shumë mundësi, versioni i rishikuar i Paktit të Gjelbër do të miratohet në vitin 2026 dhe motorët SUS do të vazhdojnë të ekzistojnë pas vitit 2035. Është mjaft e mjegullt se në çfarë forme do të mbijetojnë motorët SUS, megjithëse nga kjo situatë duket si një gjë margjinale.
/Motilokal.com
