
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës ka lëshuar një njoftim të rëndësishëm për qytetarët dhe bjeshkatarët në lidhje me temperaturat e larta që pritet të mbretërojnë mbi vendin tonë gjatë ditëve në vijim. Sipas shërbimeve meteorologjike, temperaturat ekstreme mund të krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e zjarreve në zonat malore dhe pyjore.
Në njoftim, qytetarët janë këshilluar të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin veprimet që mund të shkaktojnë zjarre. Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor thekson rëndësinë e mbrojtjes së pasurisë kombëtare dhe apelon për ndërgjegjësim të lartë për të ruajtur mjedisin tonë natyror.
Këshilla për parandalimin e zjarreve:
- Mos lejoni që të dëmtohet pasuria jonë kombëtare.
- Mos ndizni zjarre në zona malore.
- Mos ndizni zjarre në pyje.
- Mos ndizni zjarre në parqe kombëtare, pasi është e ndaluar me ligj.
- Mos i hidhni filtrat e duhanit në natyrë.
- Nëse vëreni ndonjë zjarr, ju lutemi të njoftoni menjëherë në numrat e emergjencës: 112, 192 dhe 193.
Ky paralajmërim vjen në një kohë kur vendi ynë po përballet me një sezon të nxehtë veror, duke shtuar nevojën për kujdes të shtuar në ruajtjen e pyjeve dhe zonave malore nga zjarret potencialisht shkatërruese.
/Motilokal.com