Valët e të nxehtit

Valët e të nxehtit

Nga Faruk Foniqi - Gjeograf

Valët e të nxehtit janë periudha të zgjatura të motit shumë më të ngrohtë se mesatarja e një vendi apo hapësire. Një valë e të nxehtit zakonisht mund të zgjasë nga disa ditë deri në disa javë, të cilat karakterizohen me temperatura shumë më të larta se zakonisht për rajonin në fjalë.

Valët e të nxehtit sjellin rreziqe të ndryshme, në varësi të vendit ku paraqiten. Shembull, rreziqe ekonomike, duke përfshirë humbje ne bujqësi, zjarre, mungesa të energjisë. Po ashtu kur valët e të nxehtit arrijnë temperatura ekstreme ato sjellin gjithashtu dhe rreziqe shëndetësore si lodhja nga nxehtësia, goditja e nxehtësisë të cilat prekin kryesisht të moshuarit dhe fëmijët e vegjël.

Nuk ka përkufizime definitive për valët e të nxehtit, pasi ajo varet nga faktorët klimatik, gjeografik dhe kontekstet shoqërore. Për shembull, në disa shtete evropiane gjatë vitit 2023, përkufizimi që është përdorur ishte “një periudhë prej të paktën tre ditë radhazi kur si minimumi ashtu edhe maksimumi i temperaturës ditore të ajrit janë më të larta për 5% se vlerat mesatare për periudhat 1991-2020.

Shtrohet çështja se kush i shkakton valët e të nxehtit? Valët e të nxehtit shkaktohen nga sistemet me presion të lartë që bllokojnë ajrin e ngrohtë në një zonë të caktuar, duke parandaluar që ajrit të shërndahet në zona të tjera. Sistemet me presion të lartë që njihen si anticiklone krijojnë kupola nxehtësie duke detyruar ajrin të fundoset drejt sipërfaqes dhe ky proces rrit temperaturën në sipërfaqe. Mungesa e reve nën këto sisteme me presion të lartë lejon rrezatimin diellor të kaloj më lehtë, dhe kjo bën që ajri të ngrohet edhe më tej. Këto kombinime faktorësh rezultojnë ne periudha të gjatë të temperaturave të larta nga disa ditë deri në disa javë.

Frekuenca, intensiteti dhe kohëzgjatja e valëve të të nxehtit ka të ngjarë të vazhdojë të rritet, me pasoja serioze për shëndeti publik, pasi efektet e kombinuara të ndryshimeve klimatike, urbanizmit dhe plakjes së popullsisë përkeqësojnë ndikimet që lidhen me valët e të nxehtit. Andaj është shumë me rëndësi që të krijohen strategji për zbutje dhe përshtatje për të mbrojtur popullatat e cenueshme. Planifikimi efektiv urban ka rol shumë të rëndësishëm në këtë pjesë, pasi duke krijuar çati të gjelbëra, rritjen e hapësirave të gjelbra dhe blu, planifikimin e rrugëve dhe ndërtesave që përdorin ftohje natyrore dhe reduktojnë efektin e ishullit të nxehtësisë urbane. Pastaj promovim të ndërtesave me efikasitet energjetik dhe sistemeve të ftohjes mund të ndihmojnë në menaxhimin e kërkesave të shtuara për energji gjatë periudhave me nxehtësi ekstreme duke reduktuar emetimet e gazrave serrë.

Sistemet e paralajmërimit të hershëm mundëson që komunitetet e cenueshme të marrin masa paraprake për tu përballur me to. Pastaj fushatat e edukimit publik i ndihmon njerëzit të informohen për rreziqet e nxehtësisë ekstreme dhe si të qëndrojnë të sigurt (hidratimi, shmangia e aktiviteteve të vështira gjatë nxehtësisë etj).

Në fund të fundit, mënyra e vetme për të luftuar në mënyrë efektive frekuencën dhe intensitetin në rritje të valëve të të nxehtit është ndërmarrja e veprimeve vendimtare për të trajtuar ndryshimet klimatike. Reduktimi i emetimeve të gazrave serrë nëpërmjet kalimit në burimet e rinovueshme të energjisë, zbatimi i teknologjive me efikasitet të energjisë dhe miratimi i praktikave të qëndrueshme janë thelbësore.