AMMK thërret për mbrojtjen e pyjeve të Parqeve Kombëtare nga zjarret

AMMK thërret për mbrojtjen e pyjeve të Parqeve Kombëtare nga zjarret

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) përmes një njoftimi ka bërë të ditur se sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, AMMK dhe MMPHI, në Kosovë do të vazhdojë të mbajë mot me diell dhe shumë i nxehtë dhe ditën në vijim.

Sipas AMMK temperaturat e larta, përveç ndikimeve negative në shëndetin e njeriut shtojnë dukshëm mundësinë e përhapjes së zjarreve nëpër pyje, përfshirë edhe pyjet në Parqet Kombëtare.

“Me qëllim të parandalimit të paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre, MMPHI/AMMK përmes Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Drejtorisë për Administrim e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ka shtuar vigjilencën, gatishmërinë, kontrollin dhe monitorimin e territorit të Parqeve”, thuhet në njoftim.

AMMK thekson se për të menaxhuar këtë situatë në mënyrë më efikase, është shtuar edhe niveli i bashkëpunimit me të gjitha organet relevante.

“Me këtë rast apelojmë tek të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht tek vizitorët, banorët e zonave të parqeve, shfrytëzuesit e pronave, dhe qytetarët tjerë që të kenë kujdes maksimal në parandalimin e paraqitjes së zjarreve dhe përhapjes së tyre në territorin e parqeve.”

AMMK kërkon nga të gjithë ju, që në rast se shihni ndonjë ndezje eventuale të zjarrit në Parqe Kombëtare ta lajmëroni në numrat e kontaktit në drejtoritë përkatëse:

Drejtorinë e Parkut Kombëtar “ Bjeshkët e Nemuna” janë: 048 222 718 dhe 044 155 735; dhe

Drejtorinë e Parkut Kombëtar “ Sharri” janë: 045 308 164 dhe 044 263 188.

Numrat emergjentë të disa institucioneve me rëndësi që duhet t’i keni parasysh janë:

Zjarrfikësit: 193;

Policia e Kosovës: 038/192, dhe mobil 192;

Qendra e thirrjeve në kuadër të Policisë së Kosovës: 112; dhe

Ndihma e shpejtë: 194 dhe 038/ 500 094.

/Motilokal.com