
Është rritur në 256 numri i viktimave në rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga shirat intensivë në rajonin Kerala në jug të Indisë, transmeton Anadolu.
Siç raporton "India Today", ministrja e Shëndetësisë në rajonin Kerala, Veena George ka thënë se vazhdojnë pa ndërprerë punimet e shpëtimit për më shumë se 220 persona për të cilët janë njoftuar të zhdukur pas rrëshqitjeve të dheut.
George tha se numri i viktimave në fatkeqësinë e shkaktuar nga rrëshqitjet e dheut u rrit në 256 ndërsa u lënduan të paktën 200 persona. Në punimet e shpëtimit morën pjesë më shumë se 1.100 personel kërkim-shpëtimi. Autoritetet thonë se Kerala po përballet me një nga fatkeqësitë natyrore më të mëdha deri më tani.
Pas shembjes së një ure në rajonin e prekur nga katastrofa, ushtria indiane filloi ndërtimin e një ure të përkohshme ndërsa në rajon u vendosën 1.500 ushtarë. Më shumë se 8.300 njerëz të prekur nga fatkeqësia në rajon u evakuuan në 82 kampe ndihmash dhe se qeveria ka ndihmuar për ushqimin dhe nevojat themelore për këto kampe.
Rrëshqitjet e dheut në rajonin Kerala ndodhën si pasojë e reshjeve intensive më 30 korrik ndërsa u dëmtuan rëndë infrastruktura dhe rrugët. Në fshatin Chooralmala u shkatërruan 200 shtëpi.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi nga llogaria e tij X shkroi: "Lutjet e mia janë me të gjithë të plagosurit dhe ata që kanë humbur të dashurit e tyre".
/AA/Motilokal.com