Mercedes-Benz merr miratimin për drejtimin autonom të nivelit të katërt në Kinë

Mercedes-Benz merr miratimin për drejtimin autonom të nivelit të katërt në Kinë

Mercedes-Benz mori “dritën e gjelbër” nga autoritetet kineze për të testuar veturat vetëdrejtuese me autonomi të nivelit të katërt në këtë vend, duke u bërë kompania e parë e huaj me këtë leje.

Miratimi erdhi fundjavën e kaluar, kështu që veturat e testimit vetë-drejtues të Mercedes tani lejohen të ngasin në shumicën e situatave pa pasur nevojë që njerëzit të marrin kontrollin. Kompania do të fokusohet në manovra të tilla si kthesat, ndërrimet e korsive dhe rrethrrotullimet, si dhe lëvizjet në kabinat e pagesës në Pekin.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Mercedes-Benz mori lejen për të testuar vetura me autonomi të nivelit 3 në Kinë, dhe këto automjete nuk kërkojnë vëmendje të vazhdueshme njerëzore, por mund t'i kërkojnë shoferit të marrë kontrollin nganjëherë. Kompania pretendon se përdor një strategji minimale të rrezikut për t'i mbajtur të sigurta veturat e saj vetë-drejtuese.

Dhe ndërsa Mercedes kryeson prodhuesit e huaj të veturave, disa kompani kineze janë tashmë në lojë. Baidu, Hongqi dhe WeRide tashmë po testojnë vetura vetë-drejtuese me autonomi të nivelit të katërt.

Tesla, një tjetër lojtar i madh në fushën e drejtimit autonom, është ende duke punuar për marrjen e miratimit të plotë për sistemin e saj të vetë-drejtimit të plotë në Kinë, i cili duhet të përfundojë deri në fund të vitit. Kompania ka marrë më parë miratime provë dhe ka testuar 10 vetura me softuer FSD në qershor. Duhet thënë se FSD e Tesla-s përgjithësisht konsiderohet si autonomi e nivelit të dytë, që do të thotë se drejtuesit duhet të mbajnë duart në timon gjatë gjithë kohës dhe të monitorojnë vazhdimisht situatën. Qasja e Tesla-s është unike sepse çdo shofer që përdor FSD në fakt ndihmon në përmirësimin e sistemit përmes testimit në botën reale.

Kompani të tjera veturash po bëjnë gjithashtu lëvizje në Kinë, dhe muajin e kaluar GM dhe SAIC lansuan softuerin për autonominë e nivelit të dytë.

Shoqata e Inxhinierëve të Automjeteve (SAE) vendos standarde për nivelet e drejtimit autonom. Niveli i dytë kërkon mbikëqyrje të detyrueshme të shoferit, i treti i lejon drejtuesit të heqin sytë nga rruga dhe mund të kenë nevojë të marrin kontrollin në një moment, ndërsa niveli i katërt dhe i pestë i autonomisë nuk kërkojnë fare shofer.

Prodhuesit e automjeteve po garojnë drejt teknologjisë së përsosur të veturave vetë-drejtuese dhe konkurrenca po bëhet më e ashpër.

/Motilokal.com