Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se dje dhe sot ka vazhduar monitorimi i zjarreve ne zonën e Oshlakut dhe Prevallës në territorin e Parkut Kombëtarë “Sharri”.
“Së bashku me stafin e DAPK “Sharri”, në monitorimin dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit, janë angazhuar edhe mbi 20 zjarrfikës nga brigada e zjarrfikësve të Prizrenit dhe një ekip e Policisë së Kosovës nga stacioni i Prizrenit. Në shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij janë angazhuar edhe disa vullnetarë”, njofton AMMK.
Sipas AMMK-së në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe pjesëtaret e FSK për të bërë vlerësimin e situatës për ndërmarrjen e masave për shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij.
AMMK thekson se shuarja e zjarrit dhe parandalimi i përhapjes së tij deri me tani ka qenë i pamundur për shkak të konfiguracionit të terrenit, erërave të forta dhe pamundësisë së intervenimit të zjarrfikësve me automjete përkatëse për shuarjen e zjarreve.
Tutje AMMK njofton se si pasojë zjarri po vazhdon të përhapet edhe më tutje në drejtim të fshatit turistik të Prevallës dhe tashmë ka përfshirë edhe zonën strikte të natyrës “Maja e Arnenit”.
“Sot gjatë paradites, drejtori i DAPK Sharri Bajram Kafexholli, ka realizuar një takim edhe me përfaqësuesit e KFOR-it nga të cilët tash disa ditë është kërkuar intervenimi me helikopter për shuarjen e zjarrit. Përfaqësuesit e KFOR-it, kanë thënë që janë duke monitoruar gjendjen dhe duke analizuar mundësitë e intervenimit”, thuhet në komunikatë.
/Motilokal.com
