Angazhimet për menaxhimin e vatrave të zjarrit në Parkun Kombëtar 'Sharri' vazhduan edhe sot

Angazhimet për menaxhimin e vatrave të zjarrit në Parkun Kombëtar 'Sharri' vazhduan edhe sot

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka njoftuar se ekipet e brigadave të zjarrfikësve nga Regjioni i Prizrenit, Prishtinës, Gjakovës, Ferizajt dhe Rahovecit së bashku me stafin e DAPK “Sharri”, pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe disa vullnetarë, edhe sot kanë vazhduar monitorimin dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit në zonën e Oshlakut dhe Majës së Arnenit në territorin e Parkut Kombëtarë “Sharri”.

AMMK thekson se shuarja e zjarrit dhe parandalimi i përhapjes së tij deri me tani ka qenë i pamundur për shkak të konfiguracionit të terrenit dhe pamundësisë së intervenimit të zjarrfikësve me makineri dhe me pajisje përkatëse.

“Për tu informuar me gjendjen dhe masat që janë duke u ndërmarrë për shuarjen dhe parandalimin e zjarrit, sot zonën e zjarreve në Prevallë e ka vizituar edhe ministri i MMPHI Liburn Aliu, zëvendësministri Jeton Raka, zyrtarë nga AMMK dhe Instituti për Mbrojtjen e Natyrës si dhe përfaqësues nga Agjencia e Emergjencave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komuna e Prizrenit”, thuhet në njoftim.


/Motilokal.com