Bateria 8.6 MWh, e cila u instalua në Johan Cruyff Arena në Amsterdam, furnizoi të gjithë stadiumin me energji të qëndrueshme gjatë ndeshjes në shtëpi të Ajax-it.
Energjia e qëndrueshme u përdor për reflektorët, ndriçimin në tunel dhe për ashensorët. Megjithatë, ky është vetëm fillimi, pasi në këtë stadium zhvillohen edhe ngjarje të tjera, ndaj ka plane ambicioze për shfrytëzimin e energjisë së qëndrueshme.
Bota po përpiqet të reduktojë varësinë e saj nga lëndët djegëse fosile, kështu që burimet e qëndrueshme të energjisë po kërkohen gjithnjë e më shumë për të fuqizuar jo vetëm shtëpitë dhe zyrat, por edhe vende të tjera publike që janë të rëndësishme për komunitetet. Objektet sportive gjithashtu duan që konsumi i tyre i energjisë të jetë "më i pastër dhe më i gjelbër".
Stadiumi kombëtar i Norvegjisë kohët e fundit u bë kryefjalë pasi u instalua sistemi më i madh fotovoltaik vertikal në tavan në botë. Johan Cruyff Arena mund të mos mburret me instalimin më të madh të energjisë së pastër, por bën çmos për t'i bërë të gjitha operacionet e saj miqësore me mjedisin. Tashmë në çatinë e saj janë instaluar 4200 panele diellore dhe në vitin 2018 ka mbërritur një bateri 3 MW për ruajtjen e energjisë së rinovueshme.
Ky sistem është unik sepse përdor bateri të përdorura në vend të atyre të reja. Në atë kohë, ishte projekti më i madh në Evropë që i dha një qëllim të ri baterive të përdorura nga makinat elektrike, si dhe baterive të tjera të përdorura, por edhe i pari që përdorej komercialisht. Që atëherë, stadiumi ka bërë përparim në funksionimin e tij duke përdorur energji më të pastër.
Arena tashmë blen energji "të gjelbër" nga turbinat e erës të instaluara në fshatin e afërt të Oudendijk, si dhe një park diellor të ndërtuar në vend. Ai përdor gjithashtu një sistem të rritjes së barit të bazuar në teknologjinë LED dhe ka instaluar ndriçim LED për të gjithë stadiumin për të reduktuar konsumin. Së fundmi është instaluar një sistem i dytë i baterive, i cili rrit kapacitetin e kombinuar të magazinimit në 8.6 MWh, i cili është i mjaftueshëm për të furnizuar 20,000 familje në një periudhë prej një ore.
Sistemi i përmirësuar është i dobishëm për stabilizimin e rrjetit, por edhe për ruajtjen e tepërt të energjisë së rinovueshme të prodhuar në rajon.
/Motilokal.com
