Eva Buzo ia doli të bëhet notarja e parë grua që kalon me not kanalin e Otrantos. Shqiptaro-Australiania përfundoi sot në mëngjes sfidën e saj duke përshkuar me not 92 km nga brigjet e Leçes në Itali, në gadishullin e Karaburunit për 35 orë e 17 minuta.
Sfida nisi pasditen e 17 gushtit 2024 nga shkëmbinjtë e San Foca, pranë Leçes dhe përfundoi rreth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm 19 gusht kur preku tokën shqiptare në afërsi të kepit të Gjuzës, në një nga gjiret e Karaburunit.
“Atje është nisur rreth orës 18:30 të darkës, parmbrëmë në darkë (17 gusht 2024) dhe ka mbërritur sot në mëngjes në orën 5 e disa minuta (19 gusht 2024). U nisëm nga San Focca dhe mbërritëm këtu diku midis Gjirit të Gramës dhe Gjirit të Varkave siç e njohim ne," thotë Viktor Koçaj, peshkatari që e shoqëroi Evën gjatë gjithë sfidës së saj.

Një udhëtim i vështirë për avokaten me origjinë shqiptare pasi vitin e kaluar (2023) ndërpreu sfidën në mes për shkak të komplikacioneve por sot e përfundoi rrugëtimin e saj me sukses, duke treguar një forcë fizike dhe psikologjike.
Ajo ka ndaluar shumë pak duke pirë ujë dhe udhëtimi ka qenë konstant. Nuk ka pasur asnjë problem gjatë udhëtimit prej 35 orësh. Në momentin e mbërritjes Eva nuk është në gjendje të flasë për shkak të kalcifikimit të gojës nga kripa. Ndërkohë raportohet se gjendja e saj është shumë e mirë.
Eva është një avokate e zonja në Australi dhe e angazhuar masivisht me problematika sociale, në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ka përvojë pune në Afrikën Lindore, Azinë Jugore dhe Australi, për organizata të ndryshme duke përfshirë World Vision dhe Save the Children. Mendimi për të kaluar me not kanalin e Otrantos, i erdhi gjatë periudhës së izolimit nga pandemia, duke parë në Google Maps disa vende të mundshme për të notuar, u ndal në distancën midis Italisë dhe Shqipërisë.
Pas të paharruarit Paolo Pinto, i cili kaloi kanalin e Otrantos më 14 korrik të vitit 1979, Eva Buzo është e para notare grua që ia del ta kalojë me not kanalin e Otrantos, 19 gusht 2024.
/Motilokal.com
