Alarmi klimatik: A rrezikon Shqipëria ta humb bregdetin e saj?!

Alarmi klimatik: A rrezikon Shqipëria ta humb bregdetin e saj?!

Bregdeti shqiptar, i njohur për bukuritë e tij natyrore dhe biodiversitetin e pasur, është në rrezik për shkak të ndryshimeve klimatike që kanë nisur të ndjehen gjithnjë e më shumë viteve të fundit.

Prej dekadash bregdeti shqiptar i është ekspozuar luhatjeve të nivelit të detit dhe ndërhyrjeve të tjera natyrore dhe njerëzore.

Rritja e nivelit të detit, ndryshimet në modelet e reshjeve dhe përhapja e specieve invazive janë vetëm disa prej sfidave që bregdeti shqiptar po përballet.

Në këtë intervistë të zhvilluar me ambientalistin Abdulla Diku do të shqyrtojmë ndikimet konkrete të ndryshimeve klimatike në bregdetin shqiptar, të tilla si rritja e erozionit bregdetar, ndryshimet në ekosistemet ligatinore, problemet e shkaktuara nga përmbytjet, ndryshimet në strukturën ekologjike. Nëpërmjet këtij vështrimi, do të shqyrtojmë si këto ndryshime kanë prekur dhe do të prekin më tej komunitetet lokale dhe sektorët e rëndësishëm të ekonomisë, si turizmin dhe bujqësinë. Po ashtu për masat që duhet të merren për të mbrojtur këtë zonë vitale dhe për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm për të ardhmen.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj 

Çfarë ndikimesh konkrete kanë pasur deri më tani ndryshimet klimatike në bregdetin shqiptar?

Bregdeti shqiptar është një zonë shumë dinamike që ka pësuar ndryshime të mëdha gjatë shekujve dhe dekadave të fundit. Këto ndryshime janë shkaktuar kryesisht nga luhatjet e nivelit të detit për shkak të ndryshimeve klimatike dhe lëvizjeve gjeologjike. Përveç faktorëve natyrorë, një sfidë e madhe për bregdetin shqiptar janë edhe ndryshimet klimatike.

Kësaj situate dinamike i shtohen edhe ndikimet e fuqishme të ndryshimeve klimatike, veçanërisht gjatë 30 viteve të fundit.

Rritja e nivelit të detit, edhe pse llogaritet të jetë rreth 1 cm, ka një ndikim shumë të madh në një zonë thuajse të rrafshët. Kjo do të thotë se deti mund të pushtojë më shumë tokë. Si rezultat, rritet agresiviteti i erozionit bregdetar dhe forcohet ndjeshëm efekti i baticave detare në drejtim të bregdetit, tokave dhe banesave. Raste të tilla të baticave të fuqishme detare, me efekte thuajse shkatërruese, kemi patur në zonën e Lezhës dhe Kurbinit në vitet 2010 dhe 2022.

Në foto: pasojat nga rritja e nivelit të detit dhe erozioni bregdetar në Kune-Vain (Lezhë)

Një tjetër efekt që vjen nga ndryshimet klimatike janë reshjet. Ato janë pakësuar ndjeshëm gjatë verës, ndërkohë që intensiteti i tyre është rritur, duke shkaktuar përmbytje në zonat fushore të vendit, ku më e rrezikuara ka qenë dhe mbetet bregdeti. Mungesa e reshjeve në sezonin e verës bën që lagunat të mos kenë ujë të freskët (të ëmbël). Mungesa e ujit të ëmbël rrit eutrofikimin e ujit të lagunës, duke e bërë atë shpesh të papërshtatshme për gjallesat ujore. Kjo më pas ndikon edhe te shpendët ujore, të cilët e kanë bazën e ushqimit të tyre në këto laguna.

Një tjetër efekt që ka ardhur nga ndryshimet klimatike janë speciet invazive në bregdetin shqiptar. Më e rëndësishmja prej tyre është gaforrja blu, e cila është bërë shumë problematike në të gjitha ekosistemet ligatinore. Kjo specie jo vetëm që dëmton rëndë faunën ujore vendase, por po sjell edhe një problem të madh ekonomik për peshkatarët.

A mund të na tregoni si ka ndryshuar struktura e ekosistemeve bregdetare për shkak të ndryshimeve klimatike?

Dekadat e fundit, ndryshimet në vijën bregdetare janë bërë gjithnjë e më të dukshme dhe shpeshherë kanë pasoja për komunitetet dhe bizneset. Shtimi i digave nëpër lumenjtë e Shqipërisë (për shkak të hidrocentraleve) ka bërë që gjithnjë e më pak sedimente të shkarkohen drejt detit, duke e bërë erozionin bregdetar shumë agresiv. Në thuajse të gjitha ekosistemet ligatinore të bregdetit shqiptar, kemi ndërhyrje në përmasa të mëdha, të cilat kanë lënë pasoja që ndihen edhe sot e kësaj dite. Do të përmend këtu vetëm disa prej tyre:

  1. Prej dekadash tashmë, lumi Drin nuk derdh asnjë pikë uji në Lezhë dhe më tej në lagunat e Kune-Vainit. Kjo ndodh sepse është bllokuar komunikimi hidrologjik në lumin Drin, duke bërë që prania e ujërave të ëmbla në lagunë të jetë minimale.
  2. Në grykëderdhjen e Drinit (Lezhë) është vendosur një pritë e madhe betoni në anën jugore, me gjatësi rreth 150 metra, e cila fillon nga bregu dhe shtrihet drejt thellësisë së detit. Kjo ka shkaktuar erozion masiv të bregut nga ana veriore, ndërkohë që në anën jugore ka pasur një zgjerim të vijës bregdetare për shkak të procesit të sedimentimit.
  3. Është devijuar grykëderdhja e lumit Mat, duke ndikuar negativisht në lagunën e Patokut (Kurbin).
  4. Është devijuar grykëderdhja e lumit Shkumbin, duke ndikuar direkt në ekosistemin ligatinor të lagunës së Karavastasë në Divjakë. Laguna tani rrezikon të ketë gjithnjë e më pak ujë, ndërkohë që uji aty, prej dekadash, vazhdon të jetë më i kripur se uji i detit dhe oksigjeni i tretur në ujë është në nivele minimale.
  5. Ndërtimet masive përgjatë vijës bregdetare kanë ushtruar dhe vazhdojnë të ushtrojnë një presion të madh mbi bregdetin dhe ekosistemet përkatëse.

Vetëm këto ndërhyrje kanë sjellë ndryshime të dukshme në vijën tonë bregdetare. Të ndërthurura me ndryshimet klimatike, këto ndërhyrje bëjnë që ndikimet të jenë shumë më agresive dhe me efekt më të madh mbi ekosistemet bregdetare të vendit.

Cilat janë rreziqet kryesore që përballen qytetet bregdetare të Shqipërisë për shkak të rritjes së nivelit të detit?

Rreziqet kryesore nga rritja e nivelit të detit në qytetet bregdetare janë:

  1. Disa qytete si Durrësi, Shëngjini, Velipoja, Vlora, etj., janë më shumë të ekspozuara dhe rrezikohen nga përmbytjet. Po ashtu, zona Durrës-Qerret, e cila është shumë e ngarkuar me ndërtime, përbën një rrezik të shtuar. Këto përmbytje sjellin pasoja në humbjen e jetës, dëmtimin dhe shkatërrimin e pronave, humbjen e bizneseve, etj.
  2. Përmbytjet shpesh shoqërohen me përhapjen e sëmundjeve dhe epidemive, duke ndikuar fuqishëm në shëndetin e popullatës.
  3. Problemi i vazhdueshëm i përmbytjeve në Shqipëri ka çuar gjithashtu në dëmtimin masiv të blegtorisë dhe prodhimeve bujqësore. Kështu, përmbytjet shkaktojnë gjithashtu probleme lidhur me sigurinë ushqimore, të cilat janë të një natyre të rëndësishme për sigurinë kombëtare.
  4. Erozioni bregdetar, i ndërthurur me rritjen e vazhdueshme të nivelit të detit, rrezikon seriozisht pronat, banesat dhe të gjithë infrastrukturën e zonave të banuara dhe turistike. Kjo shkakton probleme të mëdha në turizëm, për shembull, por ndikon gjithashtu në sektorë të tjerë të ekonomisë.

Sa është i përgatitur sektori i turizmit për të përballuar ndikimet e ndryshimeve klimatike në bregdet?

Për fat të keq, në Shqipëri turizmi thuajse nuk e ka marrë parasysh ndikimin e ndryshimeve klimatike. Shumica e planeve zhvillimore për zonën bregdetare nuk kanë marrë në konsideratë ndryshimet klimatike dhe skenarët e ardhshme të tyre. Për këtë arsye, ka shumë zona që tashmë janë 'pushtuar' nga deti dhe shumë zona të tjera ku banorët dhe bizneset kanë filluar të investojnë për t’u mbrojtur nga erozioni bregdetar. Rasti më tipik është zona Golem-Qerret në Durrës, ku vija bregdetare thuajse është ndryshuar nga digat e ndërtuara aty, siç tregohet në foton satelitore në vijim.

Dinamika e vijës bregdetare aty ka bërë që investimet në turizëm dhe infrastrukturë të ri-konsiderohen

Shumica e ndërtimeve në Shqipëri dhe veçanërisht ato përgjatë vijës bregdetare, nuk janë të cilësisë së lartë. Banesat janë pa termoizolim dhe shumë të ekspozuara ndaj nxehtësisë, gjë që rrit kërkesën për energji elektrike për përdorimin e pajisjeve freskuese (kondicionerëve). Kjo çon në mbingarkesë të rrjetit elektrik dhe në shfaqjen e shumë defekteve.

Nga ana tjetër, rritja e temperaturave ka bërë që sezoni turistik të jetë më i gjatë, duke sjellë dhe po sjellë më shumë përfitime për operatorët turistikë në bregdetin shqiptar.

Çfarë masash duhet të merren nga autoritetet shqiptare për të mbrojtur bregdetin nga erozioni dhe përmbytjet që mund të shkaktohen nga moti dhe ndryshimet klimatike?

Së pari, duhet të gjendet një ekuilibër i përshtatshëm për të furnizuar bregdetin shqiptar me sedimente. Kjo mund të arrihet duke përshtatur digat e hidrocentraleve dhe duke ndaluar shfrytëzimin e shtretërve të lumenjve.

Së dyti, planet zhvilluese duhet të marrin parasysh të gjitha skenarët e ndryshimeve klimatike, duke përshtatur në kohë dhe në mënyrë të duhur infrastrukturën e zonës, qendrat e banuara dhe infrastrukturën turistike.

Së treti, duhet të mbrohet brezi i pishave përgjatë bregdetit, i cili është dëmtuar rëndë gjatë tri dekadave të fundit.

Dhe në fund, duhet të respektohet në të gjitha rastet kapaciteti mbajtës i zonës, për të shmangur mbingarkesën dhe mbishfrytëzimin e saj.

Cilat janë zonat më të prekshme të bregdetit shqiptar dhe çfarë mund të bëhet për t’i mbrojtur ato?

Zonat më të rëndësishme që janë prekur fillojnë nga Velipoja dhe shkojnë deri në Vlorë. Erozioni bregdetar është më i theksuar në Velipojë, Shëngjin, Patok (Kurbin), Kepi i Rodonit, Rrushkull (Durrës), Golem-Qerret, Divjakë, Dardhë (Fier), Pylli i Sodës (Vlorë), etj. Këto janë zona me një bregdet të butë ranor, ku erozioni shfaqet gjithnjë e më agresiv dhe avancon drejt tokës.

Kepi i Rodonit është një zonë tokësore që po i nënshtrohet erozionit të fuqishëm bregdetar dhe çdo vit humbasim vlera të jashtëzakonshme të tokës sonë. Ndër to është Kalaja e Skënderbeut, e cila thuajse është e përmbytur tashmë nga deti në atë zonë.

Foto: Erozioni bregdetar në Kepin e Rodonit

Mbrojtja e këtyre zonave duhet të bëhet përmes masave bio-inxhinierike, duke ndërthurur disa elemente njëkohësisht; furnizimi me sedimente në bregdet, ruajtja dhe shtimi i brezit të gjelbër përgjatë bregdetit, dhe korrigjimet e mundshme të erozionit përmes masave inxhinierike. Kjo kërkon kohë dhe investime të konsiderueshme, të cilat Shqipëria është larg se realizuari.

Foto: Erozioni bregdetar në Kepin e Rodonit

Cilat janë mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm të bregdetit shqiptar në kontekstin e ndryshimeve klimatike? 

Efekti më pozitiv që ndryshimet klimatike kanë në turizëm është rritja e periudhës së sezonit turistik. Kjo sjell më shumë turistë dhe, si pasojë, më shumë të ardhura. Megjithatë, ky efekt shoqërohet edhe me pasojat e tij negative në ekosistem, si presioni i shtuar në bregdetin tonë. Ky presion shtrihet në disa drejtime, si për shembull: shtimi i mbeturinave, ndotja e tokës dhe ekosistemeve ujore, rritja e aktiviteteve të bujqësisë intensive, rritja e kërkesës për produkte dhe ndërtimin e objekteve të tjera, etj.

Edhe pse rritja e kërkesës për turizëm dhe produkteve të zonës duket sikur krijon mundësi të mëdha për zhvillim, çdo pjesë e tokës ka kufizimet e saj dhe aq më shumë bregdeti ynë, i cili ka vuajtur për vite me radhë nga zhvillimi kaotik. Prandaj, është shumë e rëndësishme të ruhet parimi i zhvillimit të qëndrueshëm, duke marrë gjithmonë në konsideratë kapacitetin mbajtës të zonës së bregdetit, si dhe aftësinë e ekosistemeve tona bregdetare për të rigjeneruar veten e tyre.

/Motilokal.com