Rreth 7% e energjisë neto të prodhuar në Shqipëri gjatë tremujorit të dytë të këtij viti erdhi nga fotovoltaikët. Edhe pse kjo është ende një shifër e ulët në krahasim me totalin e energjisë së prodhuar në vend, ajo është pesë herë më e madhe se sasia e energjisë diellore të prodhuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të INSTAT, nga prilli deri në qershor të këtij viti, prodhimi i energjisë nga dielli arriti në afërsisht 124 mijë megavat orë, në krahasim me 26 mijë megavat orë të prodhuar në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Ndërkohë, prodhimi total i energjisë në tremujorin e dytë ka shënuar një rënie të ndjeshme, kryesisht për shkak të mungesës së reshjeve. Konkretisht, sipas INSTAT, prodhimi neto vendas i energjisë elektrike u ul me 18.9%, duke arritur në 1.8 milionë GWh, nga 2.3 milionë GWh të prodhuara në tremujorin e dytë të vitit 2023.
Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 44.6%, nga hidrocentralet private dhe ato koncesionare në masën 48.6% dhe nga fotovoltaikët në masën 6.8% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike. Vlen të theksohet se për herë të parë në këtë tremujor, hidrocentralet publike kanë prodhuar më pak energji se ato private.
Mungesa e energjisë së prodhuar në vend ka detyruar autoritetet që të kërkojnë furnizim nga tregu i jashtëm për të plotësuar nevojat. Si rezultat, importi bruto i energjisë elektrike në këtë periudhë u rrit me 75%, ndërsa eksportet pësuan një rënie prej 15.4%.
/Motilokal.com
