Temperatura mesatare globale për verën e Hemisferës Veriore (qershor-gusht) 2024 ishte më e larta në rekord, në 0.69 gradë Celsius më e lartë se mesatarja tre mujore e regjistruar nga 1991 deri në 2020, sipas të dhënave të Kopernikus.
“Gjatë tre muajve të fundit të vitit 2024, Toka përjetoi qershorin dhe gushtin e saj më të nxehtë, ditën më të nxehtë të regjistruar dhe verën më të nxehtë në histori”, tha zëvendësdrejtoresha e shërbimit Samantha Burgess.
“Kjo seri temperaturash rekord rrit gjasat që viti 2024 të jetë viti më i ngrohtë i regjistruar”, tha ajo.
“Ngjarjet ekstreme të temperaturës që kemi parë këtë verë do të bëhen më intensive, me pasoja edhe më shkatërruese për njerëzit dhe planetin nëse nuk marrim masa urgjente për të reduktuar emetimet e gazrave serrë”, paralajmëron Burgess.
Temperatura mesatare e Evropës gjatë tre muajve të verës ishte më e larta në rekord, në 1.54 gradë Celsius mbi mesataren 1991-2020 , duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 1.34 gradë Celsius të vendosur në 2022.
Temperaturat në Evropë këtë verë ishin mbi mesataren në jug dhe lindje, por nën mesatare në Irlandë dhe në veriperëndim të Anglisë, në Islandë, bregun perëndimor të Portugalisë dhe Norvegjinë jugore.
Jashtë Evropës, temperaturat u regjistruan mbi mesataren në lindjen e Antarktikës, Texas, Meksikë, Kanada, verilindjen e Afrikës, Iran, Kinë, Japoni dhe Australi.
Temperaturat u regjistruan nën mesataren në Rusinë lindore dhe Alaskë, lindje të SHBA-së, Amerikën Jugore, Pakistan dhe rajonin Sahel.
Sipas raportit të Kopernikus, kushtet ishin më të lagështa se mesatarja në Evropën Perëndimore dhe Veriore. Në pjesën më të madhe të rajonit të Mesdheut dhe Evropës Lindore, kushtet ishin më të thata se mesatarja, gjë që çoi në thatësirë në disa vende.
Për periudhën nga shtatori 2023 deri në gusht 2024, temperatura mesatare globale ishte 1.64 gradë Celsius më e lartë se mesatarja para-industriale, sipas të dhënave të Kopernikus.
Shërbimi klimatik i Bashkimit Evropian Kopernikus publikon rregullisht të dhëna për temperaturën e sipërfaqes së Tokës, mbulesën e akullit të detit dhe reshjet.
Rezultatet bazohen në analizat e krijuara nga kompjuteri që marrin parasysh miliarda matje nga satelitët, anijet, avionët dhe stacionet e motit në mbarë botën.
/Motilokal.com