Temperaturat e larta, Komuna e Prishtinës apelon te qytetarët që t’i shmangen diellit

Temperaturat e larta, Komuna e Prishtinës apelon te qytetarët që t’i shmangen diellit

Kosova është përfshirë nga i nxehti ekstrem, temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 oC. Për këtë Komuna e Prishtinës për përmes një njoftimi ka apeluar që qytetarët gjatë këtyre ditëve të nxehta të kenë sa më shumë kujdes.

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me shërbimin e zjarrfikësve, do të vendos dy cisterna me ujë të pijshëm dhe për mundësi freskimi në Sheshin “Ibrahim Rugova” dhe në Sheshin “Zahir Pajaziti”.

Në njoftimin e Komunës thuhet se të gjithë qytetarët që ndjejnë shqetësime të lajmërohen te ekipi kujdestar apo edhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare më të afërt.

“Në të njëjtën kohë, thërrasim qytetarët dhe bizneset që gjatë këtyre ditëve, uji i pijshëm të konsumohet në mënyrë sa më racionale”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

Njoftimi i plotë i Komunës së Prishtinës:

Të nderuar qytetarë të Komunës së Prishtinës, sipas parashikimeve të motit, ditëve në vijim, pritet që temperaturat në qytetin tonë të jenë shumë të larta.

Apelojmë te qytetarët që të shmangin ekspozimet e panevojshme në diell nga ora 10:00 deri në orën 17:00. Kjo vlen sidomos për kategoritë e cenueshme si të moshuarit, shtatzënat dhe të personat me sëmundje kronike e sidomos me ato kardiovaskulare.

Apelojmë gjithashtu që gjatë ditëve në vijim, të konsumojnë sasi të mjaftueshme të ujit, ushqime të lehta dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta.

Për qytetarët në qytetin e Prishtinës, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me shërbimin e zjarrfikësve, do të vendos dy cisterna me ujë të pijshëm dhe për mundësi freskimi në Sheshin “Ibrahim Rugova” dhe në Sheshin “Zahir Pajaziti”.

Gjithashtu në bashkëpunim me ekipet në Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe Qendrën e Mjekësisë Urgjente në sheshin “Skenderbeu” është vendosur një autoambulancë që do të jetë në gatishmëri të plotë.

Luten të gjithë qytetarët që ndjejnë shqetësime të lajmërohen te ekipi kujdestar apo edhe në Qendrën e Mjekësisë Familjare më të afërt.

Në të njëjtën kohë, thërrasim qytetarët dhe bizneset që gjatë këtyre ditëve, uji i pijshëm të konsumohet në mënyrë sa më racionale. /Motilokal.com