Koha për mbjelljen e grurit: Çfarë duhet të dinë fermerët?

Koha për mbjelljen e grurit: Çfarë duhet të dinë fermerët?

Ministria e Bujqësisë e Kosovës përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se tashmë është koha ideale për mbjelljen e grurit.

Kjo ministri ka kërkuar nga fermerët që t’i kushtojnë rëndësi të madhe përdorimit të agroteknikës adekuate, përdorimit të farërave cilësore për mbjellje dhe harmonizimi të drejtë të racioneve ushqyese të bimëve sipas fazave të rritjes dhe zhvillimit të tyre.

Njoftimi i plotë:

Fermerë të nderuar,

Po i afrohemi afatit optimal për mbjelljen e Grurit. Në vendin tonë, gruri është kultura që zënë sipërfaqen më të madhe të kultivimit dhe është ndër kulturat më të rëndësishme lavërtare, andaj kultivimit të tij duhet t’i kushtohet rëndësi e veçantë.

Rendimentet e ulëta që realizojmë në Kosovë janë pasojë e disa faktorëve ku ndër më të rëndësishmit janë mospërdorimi i agroteknikës adekuate, përdorimi i farërave jo cilësore për mbjellje dhe harmonizimi jo i drejtë i racioneve ushqyese të bimëve sipas fazave të rritjes dhe zhvillimit të tyre.

Fermerët vendor prodhimin e grurit duhet ta mbështesin në zbatimin e teknologjive të reja kultivuese dhe në zbatimin e masave të përkujdesjes gjatë periudhës vegjetative bazuar në kalendarin agronomik.

Shërbimi këshillimor bujqësor rural i Kosovës, ju rekomandon, se tani është koha të mendoni për përgatitjen e tokës për mbjelljet vjeshtore-grurit.

Ju rekomandojmë që të përcillet koha dhe të gjeni momentin më të volitshëm për lëvrimin dhe përgatitjen e tokës varësisht nga lloji i tokës dhe vendi ku është planifikuar mbjellja.

Pas thatësisë së gjatë verore, shiu i ditëve të fundit ka qenë i mirëseardhur, andaj shfrytëzojeni kohën e volitshme qe të përgatitni tokën për mbjellje të tërë sipërfaqes së planifikuar për mbjellje.

Masat agroteknike të cilat duhet të aplikohen gjatë kultivimit të grurit:

  • Zgjedhja e varietetit
  • Qarkullimi bimor –para kultura
  • Përgatitja e tokës
  • Mbjellja në afatin optimal
  • Plehërimi – sasitë optimale
  • Ri-plehërimi

Kërkesat e Grurit për materie minerale (plehra) variojnë varësisht nga lloji i tokës, para kultura etj., andaj ju rekomandojmë që të bëni analizat e tokës në mënyrë që të përdorni sasitë e duhura të plehut kimik.

Tek përgatitja e tokës operacion shumë i rëndësishëm është lëvrimi. Përmes lëvrimit me kohë dhe cilësor të tokës për grurë mundësojmë rritjen dhe zhvillimin optimal, prandaj në procesin teknologjik të prodhimtarisë së grurit vlerë të madhe ka ndërmarrja dhe zbatimi kualitativ i lëvrimit të tokës.

Koha më e mirë për mbjelljen e grurit është periudha ndërmjet 5 dhe 30 tetorit madje edhe më vonë nëse lejojnë kushtet atmosferike. Gruri i mbjellë në kohë më mirë do të kalitet.

Mënyra më e keqe e mbjelljes është mbjellja me dorë, për këtë arsye rendimentet zvogëlohen, andaj duhet mbjellë me makinë mbjellëse.

Po ashtu, keni kujdes në përzgjedhjen e farës dhe plehut cilësor, bashkëpunoni me ekspertët komunal dhe me ekspertë të shitjeve të inputeve.

Për informata shtesë mund të kontaktoni këshilltarët në terren ku në secilën komunë mund të lajmëroheni në Qendrat Informative Këshilluese Komunale për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, secili në komunën e vet tek këshilltarët komunal që janë pjesë e Departamentit për Shërbime Këshilluese, ose në Departamentin e Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike në MBPZHR, rruga “Ukshin Hoti”, ndërtesa e ish Ramiz Sadikut, nr. 120 Kati III në Prishtinë, si dhe në Tel. 383- (0)38 200 38 426.

/Motilokal.com